Lajme
DOKUMENT| Këto janë të gjitha çështjet që do t’i hetojë Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë
Demokracia
17:49 | 05 Maj 2022

Share:

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot votuan pro themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë, i propozuar nga grupet opozitare.

Pro krijimit të komisionit, themelimi i të cilit krijoi shumë zhurmë, ngërç e debate në Kuvend, votuan 93 deputetë, shkruan Demokracia.com.

Mocioni për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë, siç është kërkuar nga opozita u ngrit nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Pas një konsultimi me kryesinë dhe kryetarët e grupit u arrit një formë kompromisi, që të procedojmë me një mocion të cilin do ta ngris unë si kryetar. Po e vëmë në dy pika mocionin, e para për ta vendosur në votim themelimin e Komisionit Hetimor të iniciuar nga PDK-ja. E dyta të jetë themelimi i komisionit hetimor i propozuar nga LVV-ja”, ka thënë Konjufca.

Por, çka do të hetojë konkretisht ky komision?

Në kërkesën e opozitës të cilën e ka publikuar ditë më parë Demokracia.com thuhej se hetimi do të përfshijë dhe do të kufizohet në ndriçimin e fakteve, konstatimin dhe përshkrimin e rrjedhës së ngjarjeve, me qëllim të qartësimit të asaj se çfarë ka ndodhur nga vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë, si dhe institucioneve të tjera që kanë përgjegjësi në fushën e energjisë, si Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), etj., në mënyrë që nga njëra anë të evidentohen ndikimet negative në sektorin e energjisë si pasojë e menaxhimit përkatës të krizës energjetike dhe nga ana tjetër, të ushtrohet kontrolli efektiv dhe mbikëqyrja parlamentare e këtyre institucioneve.

“Ne, deputetët parashtrues të kësaj kërkese, me qëllim të ushtrimit të mandatit tonë kushtetues parlamentar, theksojmë nevojën e madhe të zhvillimit të këtij hetimi, veçanërisht kur kihet parasysh fakti që kriza energjetike dhe mënyra e menaxhimit të saj nga Qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse, ka shkaktuar pasoja të mëdha ekonomike, përfshirë edhe reduktimet e energjisë elektrike dhe shtrenjtimin e saj në nivele të papërballueshme për qytetarët”, thuhet në kërkesën e opozitës, të cilën e ka siguruar Demokracia.com.

Opozita ka theksuar se edhe në seancat parlamentare i kanë paraqitur shqetësimet e tyre.

“Gjithashtu, edhe në disa seanca plenare dhe të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kemi ngritur shqetësimet për krizën energjetike para, gjatë dhe pas ngritjes enorme të çmimeve të energjisë elektrike, vendosjes së reduktimeve në furnizim me energji elektrike dhe kufizimeve të tjera të cilat drejtpërsëdrejti kanë varfëruar subjektet e ekonomisë, si dhe i kanë shkaktuar humbje të mëdha financiare buxhetit të vendit, qoftë duke importuar energji elektrike me çmime shumë të larta, qoftë duke subvencionuar sektorin e energjisë me vendime qeveritare”, thuhet në kërkesë, raporton Demokracia.com.

Ky komision do të hetojë vendimet, veprimet dhe mosveprimet e kësaj qeverie dhe institucioneve që kanë përgjegjësi menaxhimi në sektorin e energjisë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes themelimit të këtij komisioni hetimor do të ushtronte përgjegjësinë kushtetuese për të zhvilluar një hetim të mirëfilltë me qëllim të qartësimit dhe analizimit konkret të masave, vendimeve, veprimeve dhe mosveprimeve, të cilat e kanë karakterizuar menaxhimin e krizës energjetike në mënyrë që të hedhet dritë mbi të vërtetat e panjohura për qytetarët e Kosovës lidhur me disa nga pyetjet kyçe”, thuhet tutje në këtë kërkesë të siguruar nga Demokracia.com.

Ky komision me hetimin parlamentar synon t’i japë përgjigje këtyre pyetjeve:

– Cilat janë vendimet dhe veprimet e Qeverisë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, kur edhe në nivel evropian u paralajmërua kriza energjetike dhe u shënuan rritjet e çmimeve të energjisë elektrike?

– Cilat ishin kontratat ekzistuese për blerje dhe transmetim të energjisë gjatë vitit 2021 dhe cilat ishin mundësitë për kontraktim të energjisë elektrike me çmim sa më të arsyeshëm para se shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike të ndodh në tremujorin e katërt të vitit 2021 në Republikën e Kosovës?

– Cilat ishin vendimet dhe veprimet e Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse të fushës së energjisë për të reduktuar humbjet dhe shpërdorimet e energjisë elektrike?

– Cilat ishin efektet dhe pasojat e shpalljes së gjendjes emergjente në fushën e energjisë?

– Cilat ishin vendimet e Qeverisë për subvencionimin e energjisë elektrike, cila ishte shuma financiare e tyre, si u menaxhuan dhe ku përfunduan këto mjete financiare?

– Sa ishte shuma financiare për blerjen, përkatësisht sigurimin e energjisë elektrike përmes importit, sa ishin kërkesat për energji elektrike dhe sa ishin kapacitetet vendore për prodhimin dhe sigurimin e saj?

– Sa ishin investimet e Qeverisë në mirëmbajtjen e kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë elektrike dhe zgjerimin e tyre?

– Cila ishte metodologjia mbi bazën e të cilës u vendosën tarifat e reja të energjisë elektrike dhe cili ishte roli i Qeverisë në këtë vendimmarrje?

Po ashtu, ky komision do të zhvillojë hetimin parlamentar edhe për procedurat e rekrutimit në konkurset për pranimin e punëtorëve nga periudha e tremujorit të katërt të vitit 2021, e deri në themelimin e këtij komisioni, për të vlerësuar nëse menaxhimi ishte në nivel të zbatimit të ligjit edhe sa i përket kësaj fushe të përgjegjësisë së menaxhmentit të KEK-ut dhe institucioneve të përfshira.

Komisioni Hetimor Parlamentar pritet tu jap përgjigje shumë dilemave dhe të panjohurave që lidhen me menaxhimin e krizës energjetike dhe të nxjerrë një raport përfundimtar, profesional, të bazuar në fakte e në prova dhe të cilin më pas do të ia paraqes Kuvendit për miratim.

Hetimi Parlamentar për procesin e menaxhimit të krizës energjetike, nga periudha e tremujorit të fundit të vitit 2021 e deri në kohën e themelimit të tij, pritet të nxjerrë fakte që do të shërbejnë jo vetëm për të identifikuar sfidat me të cilat janë përballur institucionet përgjegjëse  por edhe lëshimet apo parregullsitë eventuale që kanë ndodhur.

Komisioni do të shërbejë edhe për orientimin e procesit të ardhshëm të hartimit të strategjisë sektoriale, përfshirë edhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, por edhe përmirësimin e praktikave të menaxhimit të resurseve energjetike, shkruan Demokracia.com.

Komisioni në punën e tij hetimore do të përfshijë, por nuk do të kufizohet në bashkëpunimin me cilindo person privat apo publik, institucion apo organizatë, të cilët sipas vlerësimit të tyre, do të ndihmojnë në sigurimin e të dhënave, të provave apo sqarimeve relevante që i përgjigjen qëllimit për të cilën Komisioni është themeluar dhe të arrijë në një përfundim të caktuar në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Të ngjashme