Lajme
DOKUMENT | Këshilli Gjyqësor i Kosovës nënshkruan kontratë më kompaninë që është pasive në ARBK
Demokracia
19:36 | 30 Nëntor 2023

Share:

Në këtë muaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe konzorciumi i përbërë nga kompanitë eDev, E-Tech dhe Bridge X Solutions, kanë nënshkruar kontratën për dizajnimin dhe zhvillimin e sistemit informativ të menaxhimit të buxhetit, financave, të ardhurave dhe pasurive jofinanciare, si dhe sistemit informativ të menaxhimit të burimeve njerëzore për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, zhvillimi i të cilave mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST), shkruan Demokracia.com.

Bazuar në komunikatën e KGJK-së, sipas autorizimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, marrëveshjen e ka nënshkruar Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi.

Demokracia.com ka gjetur se njëra prej kompanive në konzorcium, “E-Tech” nuk është aktive. Pra, e ka statusin pasiv. Kjo shihet edhe nga të dhënat e uebfaqes së ARBK-së, e cila aktualisht është në ridizajnim. Po ashtu, që kompania është me status pasiv shihet edhe nga faqja “biznesetehapura.com”, faqe kjo që ka të transferuara të dhënat e ARBK-së.

Ajo figuron se është pasive nga data 09.06.2022. Po ashtu, ajo nuk figuron aktive as në faqen e Administratës Tatimore të Kosovës, tek dritarja “Kërko tatimpaguesin”, shkruan Demokracia.com.

Dy kompanitë e tjera në konzorcium janë aktive edhe në ATK.

Kompania në konzorcium “Bridge X Solutions” shihet se është themeluar një ditë para se “E-Tech” të pasivizohet.

Ligji i Prokurimit Publik (LPP) nuk lejon që një institucion të lidh kontratë më një kompani pasive. Është pikëpyetje edhe fakti sesi është zhvilluar procedura për lidhjen e kontratës. Kjo pasi që bazuar në uebfaqen e KRPP-së, tek prokurimet e KGJK-së, nuk ekziston një tenderim i tillë.

Megjithëkëtë, bazuar në komunikatën e KGJK-së, thuhet se këto sisteme synojnë digjitalizimin e punës, rritjen e transparencës dhe forcimin e sundimit të ligjit, si hap i radhës drejt modernizimit të infrastrukturës së nevojshme për rritjen e efikasitetit brenda sistemit gjyqësor. /Demokracia.com/

Të ngjashme