Lajme
DOKUMENT| Këmisha, këpucë, pantallona e kravata, Policia hap tender 839 mijë euro për veshje
Demokracia
19:38 | 19 Maj 2023

Share:

Policia e Kosovës ka shpallur një tender të 839 mijë eurove për rroba e mbathje. Sipas njoftimit, me këto para do të blihen pantallona, kamisha, kravata dhe këpucë. 

Policët e Kosovës shumë shpejtë do të vishen me rroba të reja. As problemin e këpucëve më nuk do të kenë.

Për blerjen e pantallonave, kamishave, kravatave dhe këpucëve është shpallur edhe një tender që peshon hiç më pak se 839 mijë e 520 euro.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 839,520.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 30.06.2023. Të gjitha ofertat do të dorëzohen përmes E-Prokurimit dhe mostrat duhet të dorëzohen në adresën Rr “Luan Haradinaj”- nr. 99, Ndërtesa e Re e Administratës të Policisë. Projekti ka të bëjë me furnizim me rroba civile dhe këpucë elegante për zyrtarët policorë”, shkruan në përshkrimin e tenderit, përcjell Demokracia.com.

Në këtë dosje të tenderit, po ashtu, është treguar edhe shifra e saktë për secilin produkt që do të blihet.

“Sasia për ofertë për këtë projekt është Pjesa 1 Rroba elegante (kat) 834, Seter 2982 copa, Pantallona 2982 copa, Këmisha 3816 copa, Kravata 3816 copa. Pjesa 2, Këpucë elegante për policë 3816 palë”.

Policia në tenderin e shpallur ka treguar që secila palë e këpucëve duhet te jetë e paketuar në kuti kartoni origjinale të stampuara nga prodhuesi me logon e tij.

“Emri i prodhuesit; Lloji i prodhimit; Madhësia e numrit. Këpuce e ndarë për gjysmë ne pjesën gjatësore për identifikim të kualitetit, shtresave te kërkuara ne këpucë dhe lëkurës. Përshkrimin për secilën pikë të kërkuar në specifika, duke specifikuar të gjitha pjesët e këpucës veç e veç si dhe qepjet”.

Edhe për këmishat është kërkuar që të jenë më standard të lartë dhe me disa specifika të veçanta.

“Të jenë regullar apo slim varësisht prej kërkesave. Përbërja duhet te jetë 75-80%, pambuk (cotton), 20-25% polyster. Material që nuk rrudhet. Kualiteti i qepjes duhet të jetë i fortë dhe qepje e shpeshtë. Qepja e këmishës mos te jetë e theksuar. Duhet te jenë me mëngë të gjata. Në l mëngë te ketë 1 + I pullë (vij drejt). Jaka e këmishës te jetë e madhësisë standarde. Ngjyrat te jenë: e bardhë, e kaltër e hapur, e kaltër e mbyllur, e zezë, hiri, krem, me vija qe duken pak dhe më katrore të vegjël varësisht nga kërkesa”.

Kurse, specifikat për kat të rrobave, setër e pantallona, kanë të bëjnë më ngjyrat dhe format e tyre.

“Ngjyrat të jenë të zeza, hiri, të kaltra të mbyllura, të kaltra të hapura, kafe e mbyllur dhe krem. Përbërja e setrës dhe pantallonave duhet të jetë 75-80% Wool (lesh), 20-25% polyster. Setra te ketë një rend pulla në pjesën e përparme, ti ketë 2 pulla, largësia mes tyre duhet të jetë nga 12-14 cm). Materiali i brendshëm (ostari) te jetë një ngjyrësh që nuk rrudhet. Në të dyja mangët të ketë nga 4 pulla. Të jetë materiali që e mban hekurosjen dhe që nuk rrudhet. Setra të jetë e ndarë në mes në fund prapa të ketë një prerje standarde. Pantallonat të kenë kapës metalike dhe pullë jo të dukshme, patentë standarde të qëndrueshme”.

Kurse, kravatat janë kërkuar të jenë të llojeve të ndryshme dhe me kualitet të lartë.

“Kualiteti i lartë; Material mikrofiber; Madhësia standarde; Material që nuk rrudhet. Duhet të jenë një ngjyrëshe (ngjyrat të jenë varësisht prej kërkesave). Dizajni i kravatave duhet të jenë të llojeve të ndryshme varësisht prej kërkesave”. /Demokracia.com/

Të ngjashme