Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po vazhdon me angazhimin e kompanive konsulente dhe konsulentëve privatë për t’i kryer punët që nuk po mund t’i kryejnë vetë.
Për herë të tretë brenda dy muajve, KEK-u ka hapur tender për angazhimin e kompanive konsulente, duke ndarë shuma të mëdha. Kësaj radhe KEK-u do të angazhojë një kompani konsulente për rishikim të tatimeve.
Për këtë tender KEK-u ka ndarë hiç me pak se 45 mijë euro, shkruan Demokracia.com.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për kontratë të publikuar në KRPP, KEK-u do të angazhojë kompani konsulente për rishikim të tatimeve.
Sipas dosjes së kontratës, kompani konsulente do të bëjë rishikimin mujor të librave të shitjeve dhe blerjeve për Vitet Fiskalë 2019, 2020, 2021 dhe 2022, rishikimin mujor të deklaratave të TVSH-së për VF 2019, 2020, 2021 dhe 2022, rishikimin, pajtueshmërinë me TVSH-në në lidhje me transaksionet me jo rezidentët për VF 2019, 2020, 2021 dhe 2022. si dhe një rishikim të detajuar i të gjitha transaksioneve për të përcaktuar zbatueshmërinë e saktë të TVSH-së për VF 2019, 2020, 2021 dhe 2022.
Në dosjen e tenderit po ashtu bëhet e ditur se konsulenti duhet të ofrojë shërbimin bazuar në informacionet dhe dokumentet e marra nga KEK-u (autoriteti kontraktues ose AK).
“Konsulenti duhet të ofrojë shërbime këshillimore tatimore në baza të rregullta pasi AK mund të ketë nevojë për opinionin e konsulentit në raste të ndryshme. Konsulenti duhet të japë mendimin e tij në lidhje me tatimin mbi të ardhurat e korporatave, si dhe tatimet e mbajtura në burim, taksat indirekte, dhe implikimet e detyrimeve doganore, në mënyrë që AK të jetë në gjendje të marrë vendimin e duhur në kohën e duhur dhe të menaxhojë implikimet fiskale, duke identifikuar mundësitë kryesore. Dorëzimi duhet të përbëhet nga një memorandum me aspektet financiare dhe tatimore që dalin nga transaksionet e pritshme. Analiza do të bëhet në përputhje me legjislacionin vendas dhe me një përshkrim të ndikimit të mundshëm që mund të kenë transaksionet për biznesin tonë”, thuhet në dosjen e tenderit.
Konsulenti duhet të bëjë një rishikim mujor të taksave dhe kontributeve sociale të deklaruara në baza mujore për VF 2019, 2020, 2021 dhe 2022 për pagat e stafit dhe pagesat e tjera të lidhura me to. Afati i fundit për dorëzimin e tenderëve është data 02.05.2023 në ora 12:00:00. /Demokracia.com/
DOKUMENT| KEK-u jep 60 mijë euro për të angazhuar kompani konsulente për Prokurim, 250 euro dita