Lajme
DOKUMENT | KEK-u padit KEDS-in në Arbitrazh, lidh kontratë mbi 700 mijë euro për përfaqësim ligjor dhe ia kërkon miliona euro
Demokracia
19:11 | 15 Dhjetor 2023

Share:

Ekzistimi i njërës pa tjetrën, as që mund të paramendohet në rrethanat energjetike që ndodhet Kosova. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) prodhon rrymë dhe ia shet KEDS-it, ndërsa ky e shpërndan te konsumatorët. Përkundër këtij bashkëpunimi, KEK-u ka ushtruar një padi të majme kundër KEDS-KESCO në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, shkruan Demokracia.com.

Për shërbimet e përfaqësimit në arbitrazh ndërkombëtar, KEK-u ka lidhur një kontratë të negociuar më kompaninë amerikane “Squire Patton Boggs (US) LLP”, që ndodhet më seli në Nju Jork.

Por, KEK-ut nuk i ka dalë mirë matematika e pagesës për këtë punë. Vetëm 300 mijë euro ishte vlera e parashikimit të kësaj kontrate, të cilës i është rritur vlera edhe për disa qindra mijëra euro. Fiks 736,800.00 euro pa TVSH do të jetë vlera e kontratës, e cila synohet të nënshkruhet më 20 dhjetor.

Lënda e kësaj kontrate ka të bëjë me shërbime profesionale ligjore dhe specifike të përfaqësimit pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (“Swiss Arbitration Center”), nga avokatë të licencuar dhe me përvojë të përfaqësimit në një institucion të tillë të arbitrazhit. KEK-u është palë paditëse, deri sa KEDS dhe KESCO janë palë e paditur. Kontesti lidhet me interpretimin dhe kalkulimin e disa aspekteve të raportit kontraktual në mes të palëve, deri sa padia e KEK-ut është iniciuar pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit, në përputhje me rregullat e saj, shkruan Demokracia.com.

Historiku i mosmarrëveshjes

Padia e dorëzuar në arbitrazh nga Korporata Energjetike e Kosovës, ka të bëjë me vonesën e pagesës së të paditurve KESCO dhe KEDS për detyrimet e tyre ndaj paditësit KEK, që nga marsi 2020 për energjinë elektrike të furnizuar në bazë të shitjes me shumicë.

Sipas KEK, të pandehurit e kanë arsyetuar vonesën duke iu referuar arsyetimit të Forcës Madhore sipas nenit 10 të Marrëveshjes për Furnizimin me Shumicë të Energjisë Elektrike. Shuma e mosmarrëveshjes arrin 7,433,937,80 euro ndaj të pandehurve. Kjo shumë do të ndryshojë me faturat e reja të interesit të vonuar.

Siç e ka potencuar KEK, në dosje të tenderit që e ka parë Demokracia.com, pala përgjegjëse ka justifikuar mospërmbushjen duke u thirrur në ngjarjen e Forcës Madhore, sipas nenit 10 të Marrëveshjes për Furnizimin me Shumicë. Faturat e normës së interesit sipas marrëveshjes për furnizim me shumicë të faturuara për të paditurin KESCO (tabela e parë) dhe KEDS (tabela e dytë) janë paraqitur më poshtë:

Lidhur me kontestin dhe faturat e lartpërmendura, palët në mosmarrëveshje kanë shkëmbyer komunikime me shkrim, kanë pasur takime së bashku me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje miqësore për pagesën e faturave dhe vonesave.

“KESCO dhe KEDS gjithmonë kanë kontestuar faturat e vonuara, duke pretenduar se vonesa i është atribuar një ngjarjeje të forcës madhore, siç parashikohet në nenin 10 të BSA, duke qenë se është pandemia COVID 19 dhe veprimet parandaluese dhe kufizuese të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Gjithashtu është pohuar se ata ende nuk janë rikuperuar nga efektet e asaj ngjarje dhe nga kriza globale e energjisë elektrike. Para paraqitjes së padisë, paditësi, fillimisht u përpoq të arrinte një zgjidhje miqësore. Për këtë qëllim dhe në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të vendosur, KEK-u bazuar në Art. 28.3 të BSA-së, ka dërguar kërkesë me shkrim, më 10 maj 2023 (kërkesa nr. 2887- Referenca e KEK-ut) për caktimin e një eksperti të pavarur për zgjidhjen e kontestit për faturat e vonuara të pagesave të përllogaritura në periudhën mars 2020 – mars 2022. KEK-u, si palë pretenduese, e ka bërë këtë propozim duke konsideruar se mund të angazhojë çdo ekspert, me ekspertizë të mirë profesionale, i cili do të jetë njohës i mirë i dispozitave ligjore të marrëdhënieve obligative, që trajton situatat kur zbatohet interesi juridik në përmbushjen e vonuar të detyrimeve, si dhe situatat e forcës madhore (vis major) ku të pandehurit mbështesin qëndrimin e tyre”, thuhet në arsyetimin e KEK-ut, përcjell Demokracia.com.

Tutje, aty thuhet se pala përgjegjëse, me anë të një letre me shkrim (nr. 31 dhe 32, referencë KEDS/KES|Co, e datës 2 maj 2023), ka refuzuar propozimin e KEK-ut për emërimin e ekspertit dhe ka konsideruar se institucioni i vetëm kontraktualisht kompetent për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje në përputhje me nenin 28, paragrafi 4 të BSA, është organi kompetent i arbitrazhit, siç është kontraktuar.

Dhe duke qenë se janë shteruar të gjitha mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje miqësore, KEK-u ka paraqitur një Noptivcë në Arbitrazh për borxhin e vonuar në bazë të faturave të pagesës me vonesë të paraqitura në formën e mësipërme tabelare. /Demokracia.com/

Të ngjashme