Komuna e Kamenicës që drejtohet nga Kadri Rahimaj i Lëvizjes Vetëvendosje, ka angazhuar disa konsulentë për shërbime të veçanta, të cilët janë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, shkruan Demokracia.com.
Gjashtë konsulentët që do të angazhohen për një vit do t’i kushtojnë kësaj komune të varfër të Kosovës gjithsej 55 mijë euro.
Komuna e Rahimajt është munduar të manipulojë nëpërmjet termit ‘konsulent’ dhe “ekspert’, duke u thirrur edhe në pajtim me Rregulloren Nr.001 2022 për Prokurim Publik, e cila njeh angazhimin e konsulentëve, specialistëve nëpërmjet procesit të prokurimit.
Vlera e parashikuar e kontratës është 68,340.00, ndërsa ofertat janë në një vlerë prej 55 mijë e 80 euro.
LOT 1 – Konsulent për pranim dhe mbikëqyrje të projekteve. Këtu është pranuar Blerant Mujaj, me çmim vjetor 10,200.00 euro.
LOT 2 – Konsulent për pranim dhe mbikëqyrje të projekteve. Është përzgjedhur Imran Morina. Vlera e përgjithshme e kontratës 10,200.00 euro.
LOT 3 – Konsulent për pranim dhe mbikëqyrje të projekteve. Është përzgjedhur Vjollcë Kryeziu, me një çmim vjetor prej 10,200.00 euro.
LOT 4 – Konsulent për mbikëqyrje të hartimit dhe realizimit të projekteve. Për këtë shërbim është përzgjedhur Amire Ismajli, në një çmim prej 8,160.00 euro.
LOT 5 – Konsulent për mbikëqyrje të hartimit dhe realizimit të projekteve. Vlonë Matoshi është përzgjedhur me një çmim prej 8,160.00 euro.
LOT 6 – Konsulent për mbikëqyrje të hartimit dhe realizimit të projekteve. Rinor Baxhuku është përzgjedhur me vlerë të përgjithshme të kontratës 8,160.00 euro.
Rregullorja në të cilën është thirrur Komuna e Kamenicës, më saktësisht neni 57.2, parasheh që konsulentët përmes procedurave të prokurimit mund të kontraktohen vetëm për ato shërbime që nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, pra për shërbime/pozita që nuk janë të rregullta. Kurse, Komuna e Kamenicës, planifikon të kontraktojë konsulentët për pozita të rregullta, kryesisht në Drejtorinë e Urbanizmit.
Rregullorja për Prokurimin Publik, neni 57.4, sqaron se me konsulent nënkuptohet një specialist i një fushe të caktuar, i cili angazhohet në rolin e këshilltarit, kurse ‘ konsulentët’ e komunës do të bëjnë edhe pranim të punëve.
Roli dhe puna e një konsulenti ndryshon në varësi të fushës dhe kompanisë për të cilën punon. Konsulentët janë specialistë në një fushë të caktuar dhe ofrojnë ekspertizën e tyre për të ndihmuar klientët të zgjidhin çështje specifike, të përmbushin qëllime ose të përmirësojnë performancën. Konsulentët e angazhuar të komunës nuk do të ofrojnë kurrfarë ekspertize. Ata do të kyçen drejtpërdrejtë në projektet komunale për të bërë mbikëqyrjen, ashtu siç e bëjnë edhe disa zyrtarë të tjerë të komunës që janë shërbyes civilë.
Vjollca Kryeziu është përgjigjur për lot 3, si konsulente për pranim dhe mbikëqyrje të projekteve. Konsulenti, siç u tha më lartë, nuk bënë pranim të punëve, por ofron ekspertizë. Demokracia.com ka gjetur se e njëjta ka qenë e angazhuar me kontratë për shërbime të veçanta nëpërmjet procedurave të prokurimit edhe në vitin e kaluar.
Zakonisht kur komunat kontraktojnë një projekt e caktojnë menaxherin e kontratës dhe organin mbikëqyrës të punimeve, në këtë rast të menaxherit të kontratës. P.sh. Demokracia.com ka gjetur se Vjollcë Kryeziu ka qenë e angazhuar në mbikëqyrjen e menaxherit të kontratës.
Të njëjtën punë e kanë kryer edhe shërbyesit e tjerë civilë, p.sh. si në rastin e mëposhtëm që dëshmohet me këtë dokument.
Kjo është hera e parë që komuna angazhon zyrtarë me tender, në emër të ekspertëve dhe konsulentëve. Në vitin e kaluar, Demokracia.com ka raportuar për këtë. Siç shihet disa janë emra të njëjtë, sikurse në përzgjedhjen e vitit të kaluar. /Demokracia.com/