Periudha për hulumtimin e krimeve të luftës, të cilën do ta bëjë Instituti i Krimeve të Luftës së Qeverisë Kurti, që ka ngjallur shumë debat në Kosovë, po përmendet edhe ne raportin e fundit të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës, nga gjetjet e Komisioneres për të Drejtat e Njeriut në këtë institucion, Dunja Mijatoviq.
Instituti i rithemeluar nga Qeveria Kurti pritet ta hulumtojë jo vetëm periudhën deri më 12 qershor 1999 kur ka përfunduar lufta në Kosovë, por sipas tij, periudhë e luftës konsiderohet deri më 31 dhjetor 2000, njëjtë sa ka mandat edhe Gjykata Speciale.
Në pikë 21 të këtij raporti thuhet se gjatë misionit, komisioneri u informua nga përfaqësuesit e Qeverisë për një projektligj që përcakton Krimet e Luftës, shkruan Demokracia.com.
“Instituti ka për detyrë të mbledhë dhe dokumentojë informacione për “krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë” dhe për “veprimet që çuan në luftë”. Ndërmjetësuesit e shoqërisë civile në Prishtinë dhe Mitrovicën e Veriut/ Mitrovicë, kritikuan shtrirjen kohore të projektligjit, sepse ai zbatohej vetëm për krimet e luftës të kryera deri më 20 qershor 1999 dhe për këtë arsye përjashtoi viktimat që humbën jetën pas kësaj date, shumë prej të cilëve ishin pjesëtarë të komuniteteve serbe, rome dhe të komuniteteve të tjera joshumicë”, thuhet në raport, përcjell Demokracia.com.
Kjo lë të kuptohet se hetimi i krimeve të pretenduara, pas datës zyrtare të përfundimit të luftës, por edhe pas demilitarizimit të UÇK-së, ka qenë kërkesë edhe e ndërkombëtarëve.
“Komisionerja ka vërejtur se fusha kohore e draftit është ndryshuar dhe tani parasheh që Instituti ‘mund të dokumentojë’ krimet që kanë ndodhur deri më 31 dhjetor 2000. Më 8 tetor 2022, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin. Nevoja për t’i dhënë fund mosndëshkimit për krimet e lidhura me luftën dhe për të ofruar kompensim efektiv për të gjitha viktimat e luftës”, thuhet në raportin Komisioneres për të Drejtat e Njeriut në këtë institucion, Dunja Mijatoviq.
Njëjtë sikurse instituti i krijuar nga Qeveria Kurti, edhe Gjykata Speciale heton dhe gjykon krimet të cilat janë kryer apo kanë filluar të kryhen në Kosovë që nga janari i vitit 1998, deri më 31 dhjetor 2000. Të gjitha krimet e pretenduara që janë kryer para janarit 98 ose pas 31 dhjetorit 2000, nuk hyjnë nën juridiksionin e Gjykatës Speciale dhe për këtë shpeshherë ka pasur paqartësi në Kosovë. /Demokracia.com/