Lajme
DOKUMENT| Hekuran Murati e shpërblen punëtoren e tij me shtesa, Qeveria e Kuvendi i refuzojnë ato për Policinë
Demokracia
19:01 | 20 Tetor 2023

Share:

Kuvendi dhe Qeveria nuk po munden assesi të bëjnë ballë që të ndajnë shtesë për Policinë e Kosovës, të cilat po kërkohen tash e një kohë të gjatë. Pushteti i Albin Kurtit po e refuzon në mënyrë kategorike këtë kërkesë. Mirëpo,  ndryshe po veprohet me nëpunësit e institucioneve. Ata po i marrin nga 20 e 23 për qind shtesa, shkruan Demokracia.com.

 

Policia e Kosovës tash e një kohë të gjatë është duke i kërkuar shtesat e rrezikshmërisë. Por, kërkesat e tyre nuk po i pranon kurrsesi pushteti i Albin Kurtit.

Madje, edhe në Kuvendin e Kosovës kanë dështuar rezolutat për mbështetjen urgjente financiare të Policisë.

Kundër votimit të këtyre rezolutave kanë dalë deputetët e pozitës, duke mos e bërë kuorumin në seanca.

Mirëpo, pushteti aktual ndryshe po vepron me punëtorët e institucioneve që drejton. Atyre po u ndahen shtesa nga 20 e 30 për qind.

Hekuran Murati që drejton Ministrinë e Financave, me anë të një vendimi të cilin e ka siguruar Demokracia.com, ka vendosur që t’i ndaj shtesa prej 20 për qind nëpunëses së kabinetit të tij.

“Caktohet nëpunësja e kabinetit te Ministrit, Enkeleda Shasivari, e cila nuk ka orar te paracaktuar të punës, si përfituese e shtesës për punën pa orar të paracaktuar, qe ekzekutohet si shtesë mujore përveç pagës bazë. Vlera e shtesës për nëpunësin e kabinetit sipas pikës i të këtij Vendimi është njëzet përqind (20%) e pagës bazë”, thuhet në vendimin e siguruar nga Demokracia.com.

Ministria ka dhënë dhe disa arsye se pse është ndarë shtesa për këtë nëpunëse.

“Arsyetim-për shkak të natyrës së punës që ka nëpunësja e kabinetit, e cila në shumë raste detyrohet që të qëndrojë në zyrë përtej orarit te zakonshëm dhe me raste të caktuara të angazhohet për punë edhe përgjatë fundjavës ose në ditë të festave, si dhe për shkak të angazhimit për agjendën dhe dokumentacionin e nevojshëm për takimet e Ministrit në çdo kohë sipas kërkesave të Ministrit, u vendos si në dispozitiv të këtij Vendimi”.

Në fund është dhënë edhe një sqarim për çështjet rregullative të këtij vendimi.

“Për çështjet që nuk janë të rregulluara shprehimisht me këtë vendim, vlejnë dispozitat të Ligi it Nr. 05/L03 1 për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit”.

Demokracia.com ka mësuar se ky nuk është rasti i vetëm kur në institucione janë duke u ndarë shtesë të tilla.

Me vendim të Kuvendit dhe Presidencës, shtesa deri në 30 për qind janë duke marrë edhe perdoneli i Presidencës dhe Kuvendit dhe në shumicen e ministrive.

Për kërkesën e Policisë së Kosovës rreth shtesave te tyre, sot ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, duke thënë se i duhet pak kohë dhe se është duke u marrë me këtë çështje.

“Kjo është një çështje që ne e kemi konsideruar me intensitet të lartë dhe po punojmë intensivisht. Duhet t’i ndajmë nevojat, meritat dhe dëshirat dhe gjithashtu duhet të kemi kategorizim, klasifikim e sistematizim të kujdesshëm që të mos krijojmë pabarazi shtesë. Unë personalisht jam duke u marrë me këtë temë veç na duhet edhe pak kohë që të mos bëjmë gabime që do të shkaktojmë zhgënjime e pendesa”, shkruan Demokracia.com.

Ndryshe, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka pranuar një peticion me dhjetë kërkesa nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Kërkesat e sindikatës janë Ligji i pagave, shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fundvit për performancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurimi shëndetësorë dhe jetësor si dhe Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme, në mungesë të kuorumit për herë të dytë ka dështuar votimi i propozim-rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, bëri të ditur se në sallë janë të pranishëm vetëm 28 deputetë. Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk kanë marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme, ku u shqyrtua kjo projektrezolutë.

Mungesa e tyre u shoqërua me kritika të shumta nga partitë opozitare.

Edhe javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të mbajë seancën e jashtëzakonshme ku do të votohej një rezolutë për forcimin e Policisë së Kosovës, kjo pasi që partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk qe e pranishme në sallë.

Rezoluta për shqyrtim është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe është përkrahur edhe nga partitë e tjera opozitare, LDK e AAK.

Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë, e deri në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm. Në bazë të Ligjit, pagat për zyrtarë të policisë janë rritur nga 20 deri në 60 euro. Këtë rritje policia e ka quajtur minimale./Demokracia.com/

Të ngjashme