Gjendje kaotike po mbretëron në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla-Schwarz.
Gradimet e paligjshme dhe avancimet me disa grada përnjëherë janë disa nga parregullsitë që po ndodhin në ministrinë e drejtuar nga Donika Gërvalla-Schwarz, shkruan Demokracia.com.
Këto shkelje janë denoncuar edhe nga Sindikata të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm – SHSASHJ.
Kjo shoqatë u ka kërkuar drejtuesve të institucioneve të Kosovës që t’i ndalin shkeljet ligjore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Sindikata po pretendon se sistemimi punëtorëve, pas shkrirjes së Ministrisë së Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, po përcillet me një mal parregullsish.
Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm përmes një shkrese zyrtare që e ka siguruar Demokracia.com, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Avokati i Popullit, që të ndalin shkeljet që po ndodhin nën drejtimin e Gërvallës në MPJD.
Për shumicën e këtyre shkeljeve në vazhdimësi ka raportuar edhe Demokracia.com.
“Si rezultat i fuzionimit të dy ministrive, të Ministrisë së Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për njohurinë tuaj, janë marrë disa vendime, në bazë të të cilave, janë anashkaluar dhe shkelur dispozitat ligjore adekuate për caktimin e zyrtarëve në pozita të larta menaxheriale, si në vijim: z. Behar Isma para se të caktohet zv. Sekretar i Përgjithshëm, përmes një vendimi është caktuar Drejtor i Përgjithshëm në Akademinë Diplomatike, nga koeficienti 9 është ngritur kundërligjshëm në koeficientin 16. Respektivisht, nga pozita menaxheriale (Udhëheqës i Divizionit për Mbikëqyrje dhe Zbatim të Legjislacionit) është caktuar zv. Sekretar i Përgjithshëm në MPJD”, thuhet në letrën e sindikatës të cilën e ka siguruar Demokracia.com.
Situatë e njëjtë, sipas sindikatës është zhvilluar edhe sa i përket pozitës së udhëheqësit të Zyrës së Personelit dhe pozitës së Auditorit të Brendshëm (madje ky i fundit, supozohet se vetëm me vendim është caktuar Auditor i Brendshëm, në ish-MP pa procedura të konkurrimit).
“Duhet shtuar se të njëjtit ende pa u miratuar korniza ligjore dhe pa filluar procesi i fuzionimit të ministrive (asaj të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme), si dhe të procesit të ristrukturimit, morën përgjegjësitë dhe kompetencat e caktuara në MPJD. Auditimi brenda MPJD-së po zhvillohet krejtësisht në mënyrë selektive vetëm për zyrtarët e ish MPJ-së duke u përjashtuar nga ky proces zyrtarët e ish-Ministrisë së Diasporës, pjesë e së cilës ishin të gjithë të lartcekurit”, thuhet në letrën e sindikatës.
Sindikata ka vlerësuar se Rregullorja nr.01/2022 për Organizimin dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MPJD është në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, i cili vazhdon të jetë në fuqi.
“Kjo gjë ka shkaktuar pasoja të pariparueshme për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në funksionalitetin e MPJD-së. Me dispozitat e rregullores në fjalë, ndër të tjera janë shfuqizuar dispozita të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm (shuhet pozita e Drejtorit të Përgjithshëm), pra me dispozitat e një akti nënligjor shfuqizohen dispozita të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, i cili është miratuar nga Kuvendi. Në zbatim të kësaj rregulloreje të kundërligjshme zv. Sekretari i Përgjithshëm i emëruar në të njëjtën pozitë në mënyrë të kundërligjshme, ka emëruar anëtarët e Komisionit për Ristrukturim, të cilët janë zyrtarë që në pozitat aktuale janë emëruar në mënyrë kontestuese dhe me mungesë të përvojës së duhur në dikasterin e jashtëm”, thuhet në ankesë.
Në këtë letër përmendet edhe një rast tjetër për të cilin ka raportuar Demokracia.com.
“Në përbërjen e Komisionit të Ristukturimit, është edhe z. Lulzim Hiseni, i cili po ashtu është sistemuar në pozitën e drejtuesit të departamentit duke mos përfillur asnjë procedurë të rregullave për shërbyesit civil. Për njohurinë tuaj, z. Hiseni është ndër përfituesit e gradave në mënyrë të kundërligjshme, pa kaluar përmes Komisionit për Grada dhe Disiplinë (e paraparë me ligjin aktual), gjë e cila është ngritur nga ana e Shoqatës në vazhdimësi”, thuhet tutje në shkresën e kësaj sindikate.
Duke iu referuar kësaj gjendjeje në MPJD, sindikata ka paraqitur edhe disa kërkesa si në vijim:
Që të ndërpritet procesi i risistemimit të zyrtarëve publik, nën udhëheqjen e këtyre zyrtarëve të emëruar në mënyrë të kundërligjshme, në mënyrë që të mos ketë pasoja të pariparueshme për shërbimin e jashtëm;
Të themelohet një komision kredibil dhe profesional, i cili të rifillojë një proces të risistemimit, ngase përvoja e zyrtarëve të ish MPJ-së nuk mund të zëvendësohet lehtësisht në funksion të zhvillimit të mëtutjeshëm të MPJD-së dhe misioneve diplomatike funksionale.
Që të bëhet kyçja e Shoqatës Sindikale të MPJD-së, në aspekt të dëgjimit dhe këshillimit për procesin e ristrukturimit të zyrtarëve publik.
Që të rishikohen të gjitha emërimet e zyrtarëve të ish-Ministrisë së Diasporës para fuzionimit, sidomos zyrtarët në pozita vendimmarrëse;
Të rishikohet Rregullorja Nr.01/2022 për Organizimin dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MPJD, shfuqizimi i saj dhe që e njëjta të zëvendësohet me rregullore, e cila është në pajtim me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.
Që të ndërhyhet urgjentisht pranë MPJD-së, që menaxhmenti të ndalojë presionin dhe hakmarrjen ndaj bartësve të organizimit sindikal të Shoqatës Sindikale në MPJD, e cila është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për garantimin e organizimit sindikal. /Demokracia.com/