Lajme
DOKUMENT | Gjiganti francez “Louis Vuitton” fiton rastin në Gjykatën Komerciale të Kosovës kundër istogasit
Demokracia
21:14 | 18 Qershor 2024

Share:

Gjiganti francez i modës, Louis Vuitton, ka shënuar një fitore ligjore kundër kompanisë kosovare “Samiri Tours” Sh.P.K. Kjo e fundit akuzohej për importimin e gjashtë jakneve të falsifikuara të markës Louis Vuitton nga Turqia. Pasi Dogana e Kosovës njoftoi markën franceze për rastin, Louis Vuitton paditi “Samiri Tours” për shkelje të markave tregtare. Gjykata Komerciale e Kosovës miratoi pjesërisht padinë e Louis Vuitton, duke ndaluar “Samiri Tours” të ndërmarrë veprime që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale të markës luksoze në të ardhmen. Ky vendim thekson rëndësinë e mbrojtjes së markave tregtare në tregjet globale dhe sfidat me të cilat përballen kompanitë e mëdha në mbrojtjen e pronësisë së tyre intelektuale, shkruan Demokracia.com.

Dikush nga kompania “Samiri Tours” Sh.P.K. nga Istogu kishte blerë në Turqi gjashtë jakne të falsifikuara të Louis Vuitton. Nëpërmjet Doganës së Kosovës, kjo i ra në vesh brendit francez, i cili ushtroi padi në vitin e kaluar në Gjykatën Komerciale në Kosovë, me pretendimin se i është shkelur marka tregtare.

Para pak ditësh, kjo gjykatë e ka miratuar pjesërisht padinë e kompanisë, duke ia ndaluar paditësit që në të ardhmen të ndërmarrë çfarëdo veprimi me të cilin mund të shkelen të drejtat e pronësisë intelektuale të paditësit në çfarëdo mënyre, përfshirë importimin që përmbajnë elemente identike apo të ngjashme me markat tregtare të regjistruara të paditësit.

“Paditësi Louis Vuiton Malletier përmes të autorizuarit të tij, me datën 22.02.2023, ka paraqitur padi pranë Dhomave të Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, Departamenti për Çështje Ekonomike, për shkelje të markës tregtare kundër të paditurit Samiri Tours SH.P.K., me të cilën ka kërkuar që të aprovohet në tërësi kërkesëpadia e paditësit, ashtu që të vërtetohet se i padituri ka shkelur markat tregtare të paditësit, t’i ndalohet të paditurit që në të ardhmen të importojë apo në çfarëdo forme të tregtojë mallra që shkelin markat tregtare të paditësit, të obligohet i padituri që t’ia kompensojë të gjitha shpenzimet e shkatërrimit të mallrave për rastin e iniciuar nga Dogana e Kosovës me numër 418-2022, të obligohet i padituri që të zbulojë informacione për origjinën dhe shpërndarjen e produkteve të cilat shkelin markat tregtare të paditësit, të obligohet i padituri që paditësit t’ia paguajë shumën prej EUR 5,000.00 në emër të ndëshkimit për shkelje të markës tregtare sipas rastit nr. 418-2022, të obligohet i padituri që me shpenzimet e tij të publikojë në mjetet e informimit publik këtë aktgjykim”, thuhet në vendimin e Komerciales, shkruan Demokracia.com.

Tutje, aty thuhet se përfaqësuesja e paditësit, në seancën përgatitore të mbajtur me datë 15.02.2024, ka zvogëluar kërkesëpadinë duke i propozuar tani gjykatës që të merr aktgjykim me të cilin vërtetohet se i padituri ka shkelur markat tregtare të paditësit; t’i ndalohet të paditurit që në të ardhmen të importojë apo në çfarëdo forme të tregtojë me mallra tregtare që shkelin markat tregtare të paditësit; të obligohet i padituri që paditësit të ia kompensojë shpenzimet e shkatërrimit të mallrave për rastin nr. 418-2022 si dhe të obligohet i padituri që paditësit të ia paguajë shumën prej 5,000.00 euro në emër të ndëshkimit sipas nenit 75.4 të Ligjit për Markat Tregtare.

Ligji për shkeljen e markave tregtare në Kosovë është shumë i butë në krahasim me vendet e tjera. Ky është një vendim shumë selektiv i Doganës së Kosovës për ta paraqitur rastin. Kjo pasi dyqanet në Prishtinë janë të mbushura përplot me marka të falsifikuara, si Gucci, Chanel, Prada, Armani, Balenciaga, etj.

Louis Vuitton ka dyqane në mbarë botën, të cilat janë të vendosura në lokacione prestigjioze dhe ofrojnë një përvojë luksoze blerjeje. Në Evropë ka 14 degë, shkruan Demokracia.com.

Louis Vuitton vazhdon të jetë një nga markat më të kërkuara dhe të respektuara në botën e modës, duke ruajtur trashëgiminë e saj të pasur dhe duke sjellë vazhdimisht risi në treg. /Demokracia.com/

Më poshtë është i gjithë vendim dhe ecuria e këtij rasti:

 

Të ngjashme