Lajme
DOKUMENT| Gërvalla me supozime largoi diplomatë nga puna, Martin Berishajn e mbrojti me to
Demokracia
14:03 | 09 Maj 2023

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, edhe sot e ka mbrojtur ambasadorin Martin Berishaj, i cili dyshohet për përfshirje në një skandal financiar rajonal.

Gërvalla sot gjatë një konference pas takimit me homologun kroat, Gordan Grlic Radman, duke folur për skandalin e Berishajt tha se ata të cilët po vazhdojnë me akuza ndaj Berishajt është koha të vijnë me fakte dhe jo vetëm të flasin mbi supozime.

“Mendoj që ka ardhur një moment kur të gjithë ata që e vazhdojnë fushatën do të duhej ta pyesnin veten, a thua a vazhdohet fushata vetëm në bazë të supozimeve apo ka kaluar aq kohë sa në ndërkohë do të duhen faktet në tavolinë para se të vazhdojmë me fushata, me kampanja politike ndaj personave të caktuar?”, ka përfunduar Gërvalla, percjell Demokracia.com.

Megjithatë, në korrik të vitit 2022, ministrja Donika Gërvalla i kishte shkarkuar diplomatët me supozime se ishin punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, si dhe procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil, i zbatueshëm në kohën kur këta persona ishin emëruar.

Njëjtë si Gërvalla tani, një kolegj i kishte thënë asaj që nuk mund të shkarkojë diplomatë me supozime.

Kolegji i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte vlerësuar se MPJD në krye me Donika Gërvallën, në asnjë rrethanë nuk ka kompetencë të tërheq përfaqësuesin diplomatik për shkak të supozimeve të shkeljeve ligjore.

Muaj më parë, mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku ishte i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes. Mediat sllovene kishin raportuar se Berishaj kishte bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Televizioni slloven, Planet TV, kishte raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës ose të transportuesit të parave e kishte kryer ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.

Televizioni slloven, në një kronikë tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar është Martin Berishaj. /Demokracia.com/ 

 

Të ngjashme