Lajme
DOKUMENT| Gati 6.5 milionë euro iu paguan përmbaruesve privatë në vitin 2021, afër 15 mijë vendime u ekzekutuan
Demokracia
10:00 | 23 Mars 2022

Share:

Vonesat në kryerjen e obligimeve dhe çështjet e procedurave përmbarimore po i shkaktojnë dëme të mëdha buxhetit të shtetit.

Ministria e Financave ka konfirmuar për Demokracia.com, se gjatë viti 2021 në Thesarin e Shtetit në procedurë të ekzekutimit janë pranuar afër 15 mijë vendime përmbarimore.

Si rrjedhojë e keqmenaxhimit të financave publike nga institucione të ndryshme, Demokracia.com ka mësuar se përmbaruesve u janë paguar rreth 6.5 milionë euro në vitin 2021, por kjo nuk është konfirmuar nga ky institucion, duke thënë se analizimi i veçantë u merr shumë kohë atyre.

“Thesari nuk posedon një dokument të tillë të cilit po i referoheni ju në kërkesën tuaj, i cili në mënyrë shprehimore i referohet interesit përmbarimor, apo raport të gatshëm për kërkesën tuaj, ndërsa përgatitja e tij si raport i veçantë duke analizuar secilin urdhër përmbarimor veç e veç, nënkupton përpunim shtesë individualisht për secilin urdhër, si angazhim shtesë për stafin, disa javë punë intensive, kohë të cilën nuk e posedojmë për arsye të mbingarkesës së dy zyrtarëve të cilët kanë për detyrë përgatitjen e lëndëve për ekzekutim, e sa për informimin tuaj, vetëm gjatë vitit 2021 në Thesar në procedurë të ekzekutimit janë pranuar afër 15 mijë vendime përmbarimore”, thuhet në përgjigjen e Thesarit të Shtetit për Demokracia.com.

Po ashtu, në aneksin e pasqyrave vjetore financiare publikohet çdo vit shuma e vendimeve të formës së prerë të ekzekutuara nga Thesari, por ministria e udhëhequr nga Hekuran Murati i ka dërguar raportet vetëm për vitin 2018, 2019 dhe 2020, por jo edhe për vitin 2021.

 

Megjithatë, të njëjtën gjë operatorët ekonomikë mund ta bëjnë edhe direkt në Thesarin e Shtetit, pa ua përmbushur interesin përmbaruesve privatë, përcjell Demokracia.com.

Neni 39, pika 2 e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, thotë se kur një person ka lëshuar një faturë ose kërkesë për pagim për një organizatë buxhetore dhe shuma në fjalë nuk është paguar për një periudhë më të gjatë kohore se gjashtëdhjetë (60) ditë, personi në fjalë mundet ta dorëzojë një kopje të faturës ose kërkesës për pagim në Thesar.

“Kur një person ka lëshuar një faturë ose kërkesë për pagim për një organizatë buxhetore dhe shuma në fjalë nuk është paguar për një periudhë më të gjatë kohore se gjashtëdhjetë (60) ditë, personi në fjalë mundet ta dorëzojë një kopje të faturës ose kërkesës për pagim në Thesar. Pas pranimit të kopjes së faturës ose kërkesës për pagim, Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit, brenda tridhjetë (30) ditëve të ardhshme, do të bëjë një hetim në organizatën buxhetore për të vërtetuar nëse (i) fatura ose kërkesa për pagim është e vlefshme dhe se mallrat dhe shërbimet janë furnizuar ose punët janë realizuar, dhe (ii) shuma përkatëse nuk është paguar nga organizata buxhetore për një periudhë me të gjatë kohore se gjashtëdhjetë (60) ditë. Nëse rezultati i hetimit del të jetë pozitiv, Thesari do e paguan shumën në fjalë pa pasur nevojë të marrë miratimin paraprak të organizatës përkatëse buxhetore. Në raste të këtilla, Thesari është i autorizuar që ekzekutojë një njoftim për bartjen e shpenzimit pa miratimin paraprak të organizatës përkatëse buxhetore”, thuhet në nenin 39 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike.

Demokracia.com ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare të pagesave që u janë bërë disa prej përmbaruesve më të njohur, megjithatë nga Thesari kanë thënë se nuk posedojnë dokumente në të cilin mundësohet qasja në pagesat e interesit përmbarimor.

“Meqenëse Thesari nuk posedon një dokument të tillë, konform nenit 11, par. 3 të Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, ju mund t`i drejtoheni autoriteteve përmbarimore që kanë nxjerrë urdhrat e formës së prerë, dhe sipas vlerësimit tuaj, për të njëjtit mund të kërkoni disa mostra edhe në Thesar, për të bërë një krahasim apo vërtetim të të dhënave dhe elementeve të urdhrave të dorëzuar nga përmbaruesit privat. Duke pasur parasysh të lartcekurat, ju njoftojmë se të dhënat specifike të kërkuara janë të dhëna të papërpunuara dhe Thesari i Kosovës në këtë fazë nuk i posedon si të dhëna të përpunuara të cilat përbëjnë përpjekje jo-propocionale në kuptim të paragrafit 5.3 të nenit 14 të Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, ndërsa mbetet i gatshëm të ofrojë bashkëpunim siç udhëzohet më lart”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Aktualisht në Kosovë janë 41 persona që ushtrojnë profesionin e përmbaruesit privat. Ata janë të shpërndarë sipas territorit të Gjykatave Themelore. Në Gjilan dhe Gjakovë janë nga 3 përmbarues privatë. Në Prizren dhe Ferizaj janë nga 4 përmbarues privatë. Në Pejë janë 5 përmbarues privatë, në Mitrovicë janë 2 dhe në Prishtinë janë 20 përmbarues privatë. /Demokracia.com/

Të ngjashme