Lajme
DOKUMENT| Expresso, makiato e çaja, Kuvendi i çon 66 mijë euro në pije
Demokracia
14:02 | 03 Korrik 2023

Share:

Kuvendi i Kosovës ka dhënë një tender në vlerë të 66 mijë eurove për pije të nxehta dhe të ftohta. Më saktësisht përmes këtij tenderi do të blihen kafe, çaja, lëngje e pije të gazuara. 

Në Kuvendin e Kosovës që drejtohet nga Glauk Konjufca më nuk do të ketë krizë për pije.

Deputetët dhe stafi i këtij institucioni do të kenë në dispozicion hiç më pak se 66 mijë euro për pije të ftohta dhe të nxehta.

Për këtë shërbim tashmë është dhënë edhe tenderi, shkruan Demokracia.com.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 66,000.00. Shërbime të hotelerisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pije të nxehta (1-7), pije të ftohta (1-6). Data e dhënies së kontratës 26.06.2023. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 28.07.2023. Numri i tenderëve të pranuar: 2. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata D.P.H. “Luzern” Vlera e përgjithshme e kontratës 2.72 euro për njësi”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Në dosjen e tenderit është treguar me detaje çfarë produktesh të pijeve të nxehta do të blihen me këto para.

“Kafe expresso. Kafe makiato e vogël. Kafe makiato e madhe. Kafe kapuçino. Nes – kafe. Qumësht me çokolladë (bambi). Çaj – Filtër (të gjitha llojet). Pije në kanaçe 330 ml. (coca cola, fanta, sprite, biter limon, tonik, schweps, çaj i ftohtë, etj)”.

Po ashtu është treguar edhe për pijet e ftohta.

“Lëngje frutash paketim qelqi 200 ml. (pjeshkë, mollë, portokall, dredhëz, dardhë, ananas, vishnje, xhus, etj). Ujë natyral, 0.5 litër. Ujë i gazuar, 0.5 litër. Ujë natyral (qelq), 0.25 litër. Ujë i gazuar (qelq), 0.25 litër”.

Për këtë shërbim, Kuvendi ka treguar se kompania fituese duhet t’i përmbahet kontratave më punëtorë dhe t’i respektojë ligjet e Kosovës.

“Për stafin e punësuar në zbatim të kontratës, në pajtim me Nenin 31. të LPP-së, Autoriteti Kontraktues nga Ofruesi i Shërbimeve kërkon të zbatohet: Paga minimale mujore bruto për menaxherin e kontratës  duhet të jetë 380. Paga minimale mujore bruto për pozitën e banakiereve duhet të jetë 350. Paga minimale mujore bruto për pozitën e kamerierëve duhet të jetë 320 euro”.

Operatori ekonomik duhet të ofrojë shërbime hotelerie të gastronomisë (pije te ngrohta dhe pije të ftohta) në ndërtesën e Kuvendit të Republikës Kosovës në pajtim me specifikimin teknik, në pajtim me kushtet e kontratës dhe në pajtim me Ligjet në fuqi, të cilat mbulojnë këtë fushëveprimtari. Të gjithë artikujt të paraqitur në listën e çmimeve të kontratës duhet të jenë të freskëta, kualitative, të kenë afat valid të përdorimit dhe të kenë sasinë apo gramazhën e kërkuar. /Demokracia.com/

Të ngjashme