Lajme
DOKUMENT | Ekspertja e OSHP-së gjen se Komuna e Gjilanit po i favorizon kompanitë e caktuara tek tenderi 15 milionësh për renovimin e stadiumit
Demokracia
17:00 | 14 Shkurt 2024

Share:

Komuna e Gjilanit po synon që në pranverën e këtij viti të nisë komplet renovimin e stadiumit të qytetit. Për punën që do të bëhet aty është ndarë një shumë prej 15,000,000.00 eurosh, ndërkohë është hapur edhe tender në fund të dhjetorit të vitit 2023. Por, disa prej kritereve që u vendosen në dosjen e tenderit po konsiderohen se u bënë në kundërligjshëm me Ligjin e Prokurimit Publik, duke favorizuar kompani të caktuara apo duke diskriminuar disa të tjera, shkruan Demokracia.com.

Fiks më 8 dhjetor 2023 është publikuar thirrja për “Renovimin e Studionit të Qytetit të Gjilanit”.

Pasi që kompanitë kanë tërhequr dosjen e tenderit kanë vërejtur dhe njëherësh pretenduar se Komuna e Gjilanit ka vendosur kritere diskriminuese dhe favorizuese. Prandaj, lidhur me këtë, kompania “Pro & Co Group” ka parashtruar ankesë tek komuna, duke kërkuar që të bëhet përmirësimi i disa kritereve. Komuna e Gjilanit ndonëse ka pasur obligim ligjor, nuk i ka kthyer përgjigje në asnjë prej pretendimeve. Kompania menjëherë është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, me të njëjtat pretendime. Ky institucion e ka autorizuar eksperten Florije Rexhepi.

Në raportin që e ka parë Demokracia.com, ekspertja i ka sugjeruar Panelit të OSHP-së që të marrë vendim që ankesa e kompanisë ankuese të aprovohet si e bazuar, ndërsa njoftimi për kontratë të anulohet në mënyrë që komuna të bëjë përmirësimet e nevojshme në harmoni me nenin 53 të LPP-së.

Çka gjeti ekspertja?

Fillimisht, kompania ankuese pretendon se me rastin e parashtrimit te kërkesës për rishqyrtim, komuna nuk ka kthyer përgjigje në asnjë prej pretendimeve ankimore me arsyetimin se për të njëjtin aktivitet te prokurimit ka parashtruar ankese në OSHP një operator ekonomik.

Eksperti shqyrtues sqaron se qëndron pretendimi i kompanisë për mosrespektim të dispozitave të nenit 108/A, për faktin se Komuna e Gjilanit nuk i është përgjigjur në pretendimet ankimore të parashtruara nga OE ankues.

Tutje, kompania ankuese pretendon se komuna në kërkesën nr. 2 pika B, ka kërkuar: Një udhëheqës i punishtes, Inxhinier i diplomuar ose mastër i Arkitekturës, i certifikuar me FIDIC dhe i certifikuar për auditim të energjisë në ndërtesa sipas standardit DIN EN 16247, me minimum 5 vite përvojë pune nga data e diplomimit. Duhet të ketë udhëhequr së paku një kontratë të natyrës së ngjashme-ndërtim i lartë ose ndërtim i ulët.

OE ankues e kundërshton kërkesën e cituar më lartë, me arsyetimin se ka kërkuar vetëm nga një person që të ketë kualifikimet e përmendura në kërkesë.

Eksperti shqyrtues vlerëson se komuna nuk ka dhënë një sqarim lidhur me këtë çështje se pse janë kërkuar të gjitha këto certifikata kur ka ta bëjë me renovim, në veçanti pse është i nevojshëm certifikimi nga organizata FIDIC, në të cilën sipas ueb faqes se fidic.org rezulton se kjo organizatë lëshon disa certifikata në disa fusha të biznesit dhe autoriteti kontaktues nuk e ka specifikuar se çfarë certifikimi duhet të ketë udhëheqësi i punishtes. Në vlerësim të ekspertit kërkesa për certifikim nga organizata Fidic duhet të hiqet nga kërkesa e dosjes së tenderit.

Po ashtu, operatori ankues pretendon se AK-ja, në kërkesën nr. 2 pika H, ku ka kërkuar: OE duhet të ofrojë dëshmi se posedon iso standard ISO DS CEN/TR 15128 2005 një person për drenazhim të dheut, ndërsa si dëshmi dokumentare ka kërkuar: OE duhet të ofrojë dëshmi çertifikatën e ISO standardit kopje të noterizuara nga origjinali për drenazhim të dheut.

Sipas OE ankues, me këtë kërkesë, komuna ka krijuar dykuptimësi me vetë faktin se te kërkesa kërkohet një person me ISO standardin e cekur më lart, ndërsa te dëshmia dokumentare ka kërkuar nga operatori ekonomik të dorëzojë ISO standardin.

Eksperti shqyrtues vlerëson se kjo kërkesë duhet të specifikohet qartë, për faktin se qëndron pretendimi i OE ankues për dykuptimësi të kësaj kërkesë.

Ngjashëm sikurse te perëndimi nr. 3, OE ankues pretendon se AK-ja ka vepruar në kundërshtim me nenin 7 të LPP-së, me vetë faktin se në kërkesën nr. 3 ka kërkuar: OE të ketë një Lead Auditor sipas kërkesës së standartit ISO 9001 dhe i njëjti duhet të jetë i Certifikuar edhe për Siguri dhe Shëndet në punë, si dhe të jetë i trajnuar për Ekspert i mjedisit, ndërsa si dëshmi dokumentare ka kërkuar: Kontrata ose para kontrata e punës, Diplomat ose certifikatat, CV.

Ekspertja e OSHP-së fillimisht sa i përket kësaj kërkese sqaron se dëshmia dokumentare ku AK-ja ka kërkuar Diplomat ose certifikatat. CV është në kundërshtim me kërkesën dhe njëherit nuk mund të konsiderohet si dokument ekuivalent Diploma ose certifikatat. Prandaj kjo kërkesë duhet të formulohet në mënyrë që të mos ketë paqartësi dhe dëshmia dokumentare të jetë në harmoni me kërkesën e dosjes së tenderit.

OE ankues pretendon se kërkesa e AK-së, e vendosur në dosje të tenderit, në pikën 2, është kërkuar: Një inxhinier i diplomuar në menaxhimin e emergjencave ose bachelor në menaxhimin e emergjencave me jo më pak se 1 vit përvojë pune në profesion, të ketë të kryer trajnimin për siguri dhe shëndet në punë nga një kompani e licencuar nga MPMS.

Me këtë rast, kompania ankuese pretendon se ka lënë mangësi të pjesa e dëshmisë dokumentare, sepse sipas OE ankues, AK-ja në dosje të tenderit nuk ka kërkuar kurrfarë dëshmie lidhur me trajnimin për siguri dhe shëndet në punë.

Sipas ekspertes së OSHP-së edhe ky pretendim i OE ankues qëndron, sepse pas ekzaminimit të dosjes së tenderit, eksperti shqyrtues nuk ka vërejtur se AK-ja ka kërkuar ndonjë dëshmi lidhur me këtë kërkesë.

Në fund, ekspertja shqyrtuese vlerëson se AK-ja duhet të bëj korrigjimet e përmendura më lart dhe në veçanti t’i formuloje saktë kërkesat e dosjes së tenderit, të cilat njëherit duhet të jenë në harmoni të plotë me dëshminë dokumentare dhe po ashtu sa të jetë e mundur AK-ja t’i ndaj në disa kërkesa, siç është rasti i kërkesës nr. 2, pikës B, ku AK-ja ka kërkuar katër kualifikime për një inxhinier.

“Po ashtu i rekomandoj AK-se, që në rast se pranon kërkesë për rishqyrtim të përgjigjet në përputhje të plotë me paragrafin 9 të nenit 108/A, i cili e obligon AK-në që refuzimin e ankesës/pretendimeve ta arsyetoj me shkrim”, ka shkruar Rexhepi në raport.

Ankesë në OSHP ka bërë edhe kompania “Bardhi Ndërtim”. Por, lidhur me këtë ankesë Paneli i OSHP-së ka nxjerr vendim menjëherë duke e hedhur poshtë, me arsyetimin se ankesa nuk është bërë sipas ligjit.

Aktualisht, kjo procedurë e prokurimit, e cila është në fazën fillestare të ‘njoftimit për kontratë’, është pezulluar nga komuna, derisa të marrë vendim Paneli i OSHP-së lidhur me ankesën e “Pro& Co Group”, të cilën tashmë ekspertja e ka miratuar, duke kërkuar nga komuna të përmirësojë dosjen e tenderit.

Renovimi i stadiumit po mëton të bëhet pas një memorandumi që kanë bërë Komuna e Gjilanit dhe Ministria e Kulturës, e cila do të financojë shumicën e këtij projekti.

Por, ende nuk dihet nëse edhe pas 15 milionë euro investime, ky stadium do të plotësojë kriteret e UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve në arenat ndërkombëtare. /Demokracia.com/

Të ngjashme