Lajme
DOKUMENT: Edhe Komuna e Kaçanikut e kishte kundërshtuar rritjen e tatimit në pronë nga Qeveria Kurti
Demokracia
10:00 | 25 Janar 2023

Share:

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e udhëhequr nga Hekuran Murati, ka bërë rivlerësim të pronave, fatura e të cilave shkaktoi pakënaqësi në opinionin vendor. Tashmë tatimi në pronë është bërë debati më i ri në vend.

Ndonëse Ministria e Financave deklaroi se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat, komunat e mohuan një gjë të tillë.

Demokracia.com ka siguruar kërkesën për rishqyrtimin e Raportit mbi vlerësimit të përgjithshëm të Pronave Rezidenciale që Komuna e Kaçanikut i kishte dërguar Ministrisë së Financave, ku kishte shprehur mospajtim me rivlerësimin e ri.

Nga letra kuptohet se autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave.

“Komuna e Kaçanikut me dt. 31.10.2022 ka pranuar Raportin mbi vlerësimin e përgjithshëm për Prona Rezidenciale nga Departamenti i Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, e që mbështetur në nenin 18, paragrafi 5 dhe 6 i Ligjit Nr.06/L-005 Tatimin mbi pronën e paluajtshme është përgjegjësi e juaja”, thuhet në kërkesën për rishqyrtimin e raportit mbi vlerësimit të përgjithshëm të Pronave Rezidenciale, përcjell Demokracia.com.

Kjo komunë e pakënaqur me vlerësimin e ministrisë së Muratit ka shprehur edhe disa vërejtje si në vijim:

-Vlerësim jo real pasi që çmimet brenda një zonë kanë diferencë të madhe e që kontratat e shitblerjeve ( nëse ka) dhe shitjet e ndodhura kanë të bëjnë me pjesët më të shtrenjta brenda zonës, është dashur të merret një çmim mesatar e jo më I larti pasi që ky është vlerësim masiv;
– Për vlerësimin në masë të pronave rezidenciale është dhënë arsyetimi i mosfunksionim të veglës “Cama Tool” që e ka pamundësuar ndryshimin e Zonave apo krijimin e zonave apo krijimin e zonave të reja e që do të thotë se janë përdorur zonat e njëjta që janë krijuar në vitin 2018 dhe të aplikuara në vitin 2019, atëherë ne mendojmë se është dashur që edhe vlerësimi të jetë i njëjti me vitin 2019;

-Ngritja e çmimeve sipas vlerësimit të ri për mendimin tonë është e lartë dhe e paarsyeshme ngase fillon nga +4.8% deri 42.9% më e lartë për objektet rezidenciale (shtëpi familjare) dhe nga +38.10% deri 80.00% më e lartë për apartamente, e po ashtu edhe çmimet për parcela për shtëpi dhe në apartamenti në zona ja zbritje nga -16.67% deri në -20%, ndërsa zonat e tjera ngritje nga 0% deri në 166.67% që është e njëjtë edhe për parcelat për apartamente dhe paracelat për objekte tjera rezidenciale.

Për këtë çështje ka reaguar të martën edhe Komuna e Prishtinës, duke thënë se “vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit”.

“Komuna e Prishtinës, nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023”, thuhet në njoftim.

Reagimi i plotë i komunës:

Të nderuar qytetarë të kryeqytetit,

Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar shumë reagime rreth ngritjes së çmimeve të tatimit në pronë, e cila i është atribuuar Komunës së Prishtinës.

E kuptojmë plotësisht shqetësimin tuaj, por me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve rreth këtij procesi, ju informojmë se:

Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme

“Autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit”.

Komuna e Prishtinës, nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023. /Demokracia.com/

Të ngjashme