Nuk është bërë e ditur se ku do të shkojë. Por edhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, i vetëquajtur “Çlirimtari i Shtimes”, sikurse paria e shtetit, ka planifikuar t’i hipën aeroplanit me paratë e komunës për udhëtime zyrtare. Ndërkohë edhe tri institucione të tjera kanë lidhur kontrata për bileta të aeroplanit, në një vlerë mjaft të madhe, shkruan Demokracia.com.
Aty ku është pajisur me bileta presidentja Vjosa Osmani, do të blejë edhe komuna e vogël e Qemajl Aliut.
“Furnizim me bileta të udhëtimit me Aeroplan”. Kështu quhet tenderi i realizuar nga prokurimi komunal, ku furnizues është “AS TRAVEL CLUB” SH.P.K. Për tetë bileta, komuna ka paguar 2400 euro. Ato do të shpenzohen brenda harkut kohor prej 12 muajve.
Me shërbime të transportit ajror – bileta, para pak ditësh është pajisur edhe Zyra e Presidentes së Kosovës. Biletat janë siguruar për 24 muaj, në një vlerë prej 117,003.00. Ato janë blerë tek kompania “As Travel”.
Veçse Presidenca është kujdesur edhe për shëndetin e zyrtarëve gjatë udhëtimit. Për këtë ka blerë shërbimet nga kompania “Sigal Uniqa Group Austria” SHA, në një vlerë prej 8,445.00 euro.
Para pak ditësh, Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka lidhur një kontratë të vlerës së madhe për 36 muaj më grupin e kompanive “Prime Tours& Travel Shpk”; “Airvoyage Shpk”. Vlera e kontratës është fiks 241 mijë e 298 euro.
Kompania “As Travel”, po del të jetë mjaft e favorizuar nga shteti. Me këtë kompani, para pak javëve ka lidhur një kontratë njëvjeçare edhe Agjencia Qendrore e Prokurimit. Kontrata është lidhur për nevojat e agjencive të pavarura dhe kap vlerën 94 mijë e 400 euro. /Demokracia.com/