Lajme
DOKUMENT: Dyshohet për shpëlarje parash, Martin Berishaj ishte pjesë e komisionit të Shpejtim Bulliqit për demarkacionin me Malin e Zi
Demokracia
11:00 | 22 Prill 2022

Share:

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka të kaluar goxha të bujshme. Emri i tij po lakohet si i përfshirë në një skandal të madh rajonal të shpëlarjes së parave. Megjithatë, ai ka vite që në Kosovë njihet për “përzierje” në punë të brendshme edhe pa qenë fare shtetas.

Martin Berishaj para disa vitesh ishte mbrojtës i devotshëm i kauzës së opozitës se “Kosova kishte humbur territor në demarkimin e kufirit me Malin e Zi”. Pas zgjedhjeve të mëpasme, Martin Berishaj, përkundër që nuk posedonte shtetësi të Kosovës, për shkak të mbrojtjes së “kauzës” ishte emëruar nga ish-kryeministri Haradinaj si anëtar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror me Malin e Zi.

Pas një kundërshtimi të madh që i kishte bërë demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në kohën e bllokut opozitar disa vite rresht, Martin Berishaj më 22 shtator 2019 ishte emëruar nga kryeministri i atëhershëm si anëtar i komisionit që drejtohej nga Bulliqi, shkruan Demokracia.com.

“Raporti dhe puna e Komisionit Bulliqi është aktakuzë për regjimin e vjetër (porsa të çlirohet Prokuroria e Shtetit) dhe orientim për korrigjim (porsa të rikthehet qeveria e mirë)”, kishte shkruar Kurti në Facebook për komisionin ku bënte pjesë edhe Berishaj.

Mirëpo, si kryeministër në mandatin e dytë, Kurti nuk ka bërë asgjë sa i përket këtij procesi, shkruan Demorkacia.com.

“Vendimi i parë i kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme ka qenë emërimi i anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Komisioni do të kryejë detyrat në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente që ta ndihmojnë Komisionin në kryerjen e detyrave të tij. Komisioni do të ketë këtë përbërje: Shpejtim Bulliqi, Universiteti i Prishtinës, kryesues; Zejnullah Gruda, Universiteti i Prishtinës, anëtar;  Martin Berishaj, Universiteti i Lubjanës, anëtar;  Hamit Basholli, Gjeodet, anëtar; Florim Isufaj, Universiteti i Prishtinës, anëtar; Në Komision do të përfaqësohen edhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës; i Ministrisë së Punëve të Brendshme; i Ministrisë së Infrastrukturës; si dhe dy përfaqësues të komunitetit, pa të drejtë vote (Riza Smakaj dhe Zymer Neziri).”, thuhet në njoftimin e asaj dite të lëshuar nga Qeveria Haradinaj.

Ndryshe, mediat sllovene janë duke raportuar për një skandal të madh financiar, ku i përfshirë është Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, që dyshohet se ka të bëjë me shpëlarje parash, duket që i përfshirë është edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin mediat sllovene tregojnë që i ka bartur CASH rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Ambasadori i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat me një status të shkurtër, duke pretenduar se kjo fushatë kundër tij po bëhet për shkak të fushatës parazgjedhore në Slloveni.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, ka shkruar ambasadori Berisha, raporton Demokracia.com.

Berishaj njihet si mik shumë i afërt i kryeministrit Kurti. Ai ka qenë ndër të parët që kishte shkuar për të festuar në selinë e LVV’së, pas fitores në zgjedhjet e vitit të kaluar me një shishe shampanjë.

Një raport i tillë i ishte shpërblyer pa humbur kohë, duke e emëruar Berishajn ambasador të Kosovës në Kroaci. /Demokracia.com/

DOKUMENTE| Martin Berishaj i ishte betuar presidentes Osmani: Do të jem qytetar i devotshëm i Kosovës

Të ngjashme