Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka dhënë një tender për shërbime të transportit rrugor, vlera e të cilit kap shumën e 95 mijë eurove. “Shëtitja me autobus” është thënë se do të bëhet në territorin e Kosovës dhe jashtë Kosovës.
Stafi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla, duket se ka hequr qafe për një kohë problemin e transportit rrugor.
Punonjësit e këtij institucioni shtetëror janë treguar “modestë”, duke zgjedhur që disa udhëtime në Kosovë dhe jashtë t’i bëjnë me autobus.
Por, kjo “modesti” nuk po del të jetë edhe aq e lirë, shkruan Demokracia.com.
Tenderi për “Shërbimet e transportit rrugor brenda dhe jashtë Kosovës” peshon hiç më pak se 95 mijë euro.
“Shërbimet e transportit rrugor”, për një periudhë prej 36 muaj, në territorin e Kosovës dhe jashtë Kosovës, në pajtueshmëri me specifikat e cekura në Specifikimin Teknik të Dosjes së Tenderit. Vlera e parashikuar e kontratës: 95,000.00 euro. Data e dhënies së kontratës 05.05.2023. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës më 15.05.2023. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata “Arditi Tours”. Vlera e përgjithshme e kontratës për njësi 1.96 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Në dosjen e tenderit është treguar me detaje se në çfarë kushte duhet të jenë autobusët dhe sa komod duhet të jenë ata.
“Mjetet e transportit duhet domosdoshmërisht të disponojnë komoditet, gjendje teknike të rregullt, pastërti të nivelit, sistem të nxehjes, ventilim dhe klimatizim. Operatori Ekonomik, i cili shpërblehet me kontratë, duhet ta sigurojë Autoritetin Kontraktues se të gjitha mjetet e ofruara dhe stafi teknik profesional i përcaktuar për këtë shërbim, i plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore për ta ofruara këtë shërbim. Në raste të defekteve, kontraktuesi duhet që menjëherë të zëvendësoi mjetin e transportit në defekt me mjet tjetër të transportit funksional në mënyre që transporti të mos ngec-dështoi”, shkruan në dosjen e tenderit.
Tutje aty tregohet sa ulëse duhet t’i kenë autobusët dhe çfarë viti të prodhimit duhet të jenë.
“Një autobus me minimum 50 ulëse, të vitit të prodhimit jo më i vjetër se 2008 (Euro 5). Një autobus minimumi 50 ulëse për destinacione evropiane jo më i vjetër se viti i prodhimit 2015 (Euro 6). Një mini bus me minimum 17 ulëse, të vitit të prodhimit jo më i vjetër se 2010 (Euro 5). Automjetet e transportit duhet të jenë në pajtueshmëri dhe siç e parasheh ligji nr. 04/L-179, për Transportin Rrugor. Operatori Ekonomik pjesëmarrës, duhet të jetë i licencuar për se paku 1 linjë ndërkombëtare. Operatori Ekonomik pjesëmarrës, duhet të posedoj një shofer me certifikatën e shoferit (CPC)”.
Në fund thuhet se duhet “të dëshmohet me libreza valide të regjistrimit të automjetit, fotografi dhe dëshmi se autobusët dhe minibusi e plotësojnë standardin mjedisor euro të kërkuar”. /Demokracia.com/