Lajme
DOKUMENT| Donika Gërvalla “shkeli” Vjosa Osmanin për të privilegjuarin e saj, bëhen dy ambasadorë në Francë
Demokracia
16:30 | 26 Maj 2022

Share:

Lulzim Hiseni në mars të këtij viti ishte dekretuar nga presidentja Osmani si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Strasburg, çështje për të cilën Demokracia.com kishte raportuar ekskluzivisht. Por, tani në muajin maj, Donika Gërvalla – Schwarz, kundërligjshëm ka marrë vendim që Hisenin ta trajtojë edhe si ambasador.

Donika Gërvalla – Schwarz pozitën e saj po e konsideron edhe më të rëndësishme se të presidentit të vendit, raporton Demokracia.com.

Së fundmi, konkretisht më 6 maj 2022, Gërvalla ka nënshkruar vendim të ri, duke dalë përtej dekretit të presidentes Vjosa Osmani.

Demokracia.com ka siguruar dokumentin e nënshkruar nga Gërvalla – Schwarz për të favorizuarin e saj Lulzim Hisenin, i cili ishte emëruar Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Strasburg, por që me vendimin e ri të kundërligjshëm të kryediplomates Gërvalla, ai do të trajtohet edhe si ambasador me të gjitha të drejtat e përcaktuara të kësaj pozite, duke bërë kështu që aktualisht në Francë t’i kemi dy zyrtarë që trajtohen si ambasadorë të Kosovës, por njëri prej tyre pa dekret të presidentes.

I njëjti vendim i është dërguar edhe Hisenit, Zyrës së Sekretariatit të Përgjithshëm, Divizonit për Buxhet dhe Financa, Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore dhe arkivit të MPJD-së.

Ky vendim i nënshkruar nga Donika Gërvalla – Schwarz shkel dekretin e presidentes Osmani për Lulzim Hisenin, i cili ishte dekretuar si Konsull i Përgjithshëm në Strasburg, raporton Demokracia.com.

Ligjërisht, dekretet e presidentes janë mbi vendimet e ministres dhe jo anasjelltas, sikurse që ka vepruar Gërvalla – Schwarz.

Po ashtu, vetëm presidentja e ka të drejtën e emërimit të konsujve të përgjithshëm dhe ambasadorëve.

Raste të emërimit të konsujve si ambasador ka pasur në të kaluarën, por kjo mund të bëhet vetëm me dekret të presidentes dhe jo me vendime të ministrave.

Lidhur me vendimin e Gërvallës, me të cilin ka dalë mbi dekretin e presidentes Osmani, duke e shpërblyer Lulzim Hisenin me pagë të ambasadorit, Demokracia.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Demokracia.com ka kërkuar që të mësojë arsyetimin ligjor të MPJD-së për këtë çështje, por të njëjtit si zakonisht nuk kanë kthyer përgjigje.

Emërimi i kundërligjshëm i Lulzim Hisenit dhe ankesat kundër tij

Më 5 prill, Demokracia.com ka raportuar se Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ), i kishte dërguar letër presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Donika Gërvalla lidhur me disa emërime të stafit diplomatik/konsullor, që i konsideronin si emërime të paligjshme.

Në letrën që kishte siguruar Demokracia.com, kjo shoqatë specifikisht kishte shprehur shqetësime lidhur me emërimin e Konsullit të Përgjithshëm në Strasburg, Lulzim Hisenit.

Sipas saj, Hiseni që ishte emëruar me gardën Ministër Këshilltar, i njëjti është ngritur për dy grada në të njëjtën kohë në mënyrë të kundërligjshme, pa kaluar në Komisionin për Grada dhe Disiplinë nga Sekretari i Parë në Ministër Këshilltar.

Po ashtu, në letrën që kishte siguruar Demokracia.com, kjo shoqatë thoshte se Hiseni nuk i ka plotësuar kriteret për të konkurruar dhe për t’u emëruar Konsull i Përgjithshëm, marrë parasysh se ka dy grada të kundërligjshme.

Gërvalla e emëroi Lulzim Hisenin kundërligjshëm konsull në Strasburg

Lulzim Hiseni ishte “fshesë” e Donika Gërvallës në MPJD

Për diplomatin e graduar në mënyrë të dyshimtë, Gërvalla kishte vendosur që ai të merrej edhe me riorganizimin e vendeve të punës në MPJD.

Hiseni ishte caktuar në krye të Komisionit për Sistematizimin e vendeve të punës, duke i prirë kështu ndryshimeve me direktiva të sekretarit dhe kabinetit politik në krye me Gërvallën./Demokracia.com/

Para se të shkojë në Strasburg, konsulli i emëruar kundërligjshëm nga Gërvalla e kap “fshesën” për sistematizimin e kolegëve të tij

 

 

Të ngjashme