Lajme
DOKUMENT | “Diplomatët partiakë”, zyrtarizohet punësimi i njerëzve të Vetëvendosjes dhe Gërvallës në MPJD
Demokracia
09:12 | 26 Janar 2024

Share:

Shpejtim Bulliqi pritet që shumë shpejtë ta emërojë një tjetër Drejtor të Kulturës. Drejtori i deritashëm i tij, Pajtim Balaj, tani e tutje do të merret me diplomaci. Zanatit të diplomatit do t’i hyjnë edhe disa njerëz të tjerë të afërt me partinë në pushtet, shkruan Demokracia.com.

Njerëz të afërt me ministren Gërvalla, me GUXO dhe me Vetëvendosjen janë pranuar në punë si staf diplomatik nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila udhëhiqet nga Donika Gërvalla-Schwarz.

Lëvizja Vetëvendosje dhe ministrja Gërvalla-Schwarz po përpiqen që t’i krijojnë diplomatët e tyre. Pas largimit të mbi 30 diplomatëve që i kanë konsideruar si të afërt me partitë që kanë qeverisur në të kaluarën, pushteti i ri ia kanë nisur t’i sistemojnë nga jashtë edhe aktivistët e tyre në diplomacinë kosovare. Kjo po u bëhet e mundur nga disa punonjës të tjerë të rehatuar nga pushteti i kaluar aty, por që me servilitet të madh kishin filluar t’i shërbejnë ministres Gërvalla që nga ardhja e saj në krye të MPJD-së, shkruan Demokracia.com.

MPJD kishte hapur konkurs për 20 vende të punës për pozitën “Zyrtar i misionit diplomatik”, që nga 23 nëntori 2023, i cili kishte qenë i hapur deri më 22 dhjetor të vitit të kaluar.

Demokracia.com ka gjetur se nga 20 persona sa ka qenë synimi të përzgjidhen, MPJD ka përzgjedhur vetëm 13.

Personat e përzgjedhur janë Adea Koçmezi, Valmir Hoxha, Pajtim Balaj, Eliot Zenunaj, Trina Konushevci, Liburn Mustafa, Shkumbin Beqiri, Fjolla Hajzeraj, Eljona Sopjani Sadikaj, Zanë Gashi Ucmak, Nuhi Shala, Teutë Agushi dhe Flaka Dalipi.

Lidhur me selektimin e personave në listën e ngushtë, ditë më parë ka raportuar ekskluzivisht Demokracia.com. Tash 13 nga ta i kanë kaluar të gjithë filtrat dhe do të jenë pjesë e stafit të jashtëm diplomatikë.

Demokracia.com ka mësuar se e punësuara Trina Konushevci ka qenë këshilltare e ministres Donika Gërvalla-Schwarz dhe tash është pranuar me konkurs të rregullt si staf diplomatik.

Flaka Dalipi është familjare e Luan Dalipit, shefit të stafit të kryeministrit Kurti. Po ashtu, edhe motra e Flaka Dalipit, e cila ishte punësuar në prokurimin e Komunës së Prishtinës në kohën kur udhëhiqte Vetëvendosje, para pak kohësh është transferuar në Zyrën e Prokurimit të MPJD-së. Bëhet fjalë për Kaltrina Dalipin. Siç nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, tashmë dy motrat Dalipi, familjaret e shefit të stafit të kryeministrit Albin Kurti, do ta kenë afër njëra-tjetrën në të njëjtin institucion.

Në listë është emri i Pajtim Balaj. Ai është një ndër aktivistët e parë të Lëvizjes Vetëvendosje. Aktualisht është Drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Podujevës, e cila udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes.

Po ashtu, aty është edhe Fjolla Hajzeraj, e cila në vitin 2022 ka qenë e angazhuar nga ministrja Gërvalla-Schwarz.

Po ashtu, i angazhuar më herët në diplomacinë qytetare ka qenë edhe Liburn Mustafa.

Ndërsa, Valmir Hoxha ka qenë asistent në zyrën e Behar Ismës, sekretarit të MPJD-së.

Demokracia.com ka mësuar edhe emrat e komisionit të vlerësimit që i kanë pranuar këta zyrtarë të rinj në punë.

Kryetar i Komisionit ka qenë Delfin Pllana, ndërsa anëtarë kanë qenë Hamdi Reqica dhe Hyzri Bunjaku, i cili njihet si person i dëgjueshëm i ministres Gervalla. Bunjaku ka qenë pjesë e Komisionit për shkarkimin e Ambasadorit të Karrierës, Albert Prenkaj. Ai e kishte fituar rastin në gjykatë, e cila e obligoi MPJD ta sistemojë atë në ministri. E pak orë pas këtij vendimi, MPJD-ja e Gërvallës e kishte shkarkuar sërish atë. Pjesë e komisioni vlerësues ka qenë edhe Mehmet Morina dhe një tjetër nga bota akademike.

Kjo nuk është hera e parë që partia në pushtet e shfrytëzon forcën e saj për të punësuar njerëz në këtë ministri. /Demokracia.com/

Të ngjashme