Çështja e diplomatëve të shkarkuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, po “shëtitet” nga një institucion në tjetrin.
Institucionet duket se nuk po kanë guxim të vendosin kundër vendimit të Gërvallës, duke e shpallur njëra pas tjetrës veten jokompetente, shkruan Demokracia.com.
Pas Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, tash një institucion tjetër e ka shpallur veten jokompetent.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative e ka shpallur veten jokompetente për të vendosur për padinë e 10 të shkarkuarve nga Shërbimi i Jashtëm i Kosovës.
Demokracia.com ka siguruar aktvendimin e kësaj gjykate, e cila lëndën ia ka dërguar Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Divizioni Civil.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative me gjyqtar Ramush Bardiqi në konfliktin administrative të paditësit, Lulzim Rifaj dhe të tjerët të përfaqësuar me autorizim nga avokati Hajzer Salihu kundër të paditurit, Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, për anulimin e vendimit me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit nr.365/2022 dt/19/04/2022 jashtë seancës, me dt.05.07.2022 merr këtë: Aktvendim -1.Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë, shpallet jokompetent në pikëpamje lëndore, për të gjykuar këtë çështje juridike. Sipas padisë nën shenjën A.nr.1687/2022. Pasi që ky aktvendim të merr formë të prerë lënda i dërgohet Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore Prishtinë-Divizioni Civil”, thuhet në vendimin e kësaj gjykate të siguruar nga Demokracia.com.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, në mars kishte shkarkuar një grup prej 10 zyrtarëve të Shërbimit të Jashtëm. Sipas arsyetimit të ministres Gërvalla, personat e liruar nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe as procedurave e rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar.
“Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare”, kishte thënë Gërvalla.
Të shkarkuarit Lulzim Rifaj, Mitat Fejza, Bahrije Hoti, Rrahim Morina, Binak Berisha, Shota Bukoshi, Adnan Dragaj, Enver Bucaj dhe Blerim Canaj e kanë kundërshtuar fuqishëm vendimin e ministres Gërvalla.
Ata përmes avokatit të tyre Hajzer Salihu dërguan dy javë më parë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, respektivisht kundër vendimit A. nr. 365/2022 të dt.10.06.2022, ku njëkohësisht kanë kërkuar edhe shtyrje të ekzekutimit të vendimit në fjalë.
KPMShCK e kishte shpallur veten jo-kompetent për të vendosur lidhur me ankesat e diplomatëve të shkarkuar, me arsyen se atyre u mungojnë aktemërimet, rrjedhimisht ata nuk kanë mundur të dëshmojnë se janë pranuar si shërbyes civil.
Veprimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil është konsideruar absurd dhe dyshues, sepse edhe vetë përfaqësuesit e MPJD-së që ishin pjesë e seancave të thirrura nga Kolegji i KPMSHCK-së për shqyrtimin e ankesave kishin pranuar se anëtarët e shërbimit diplomatik kanë statusin e nëpunësve civil.
KPMShCK ka shpallur jo-kompetencën për trajtimin e ankesave, ndërkaq sipas Ligji Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil, (ligj i cili ka qenë në fuqi në kohën e pranimit të këtyre diplomatëve në punë) në nenin 3, paragrafin 4 të tij, kishte përcaktuar në mënyrë taksative se: Personeli diplomatik dhe konsullor, si dhe personeli administrativ i dërguar jashtë vendit ose i punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës është pjesë e Shërbimit Civil të Kosovës dhe i nënshtrohet këtij ligji dhe legjislacionit përkatës në fuqi.
Demokracia.com ka raportuar ekskluzivisht edhe për vendimin e KPMSHCK, e cila e shpalli veten jokompetente në këtë rast. /Demokracia.com/