Lajme
DOKUMENT| Diplomatët e shkarkuar letër Kuvendit: Gërvalla e bëri atë që Beogradi nuk arriti për dy dekada
Demokracia
15:46 | 28 Mars 2022

Share:

Një grup i diplomatëve të shkarkuar nga ministrja Donika Gërvalla-Schwarz i janë drejtuar Komisionit për Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, ku janë ankuar për shkëputjen e marrëdhënieve të tyre të punës në shërbimin e jashtëm.

Demokracia.com ka siguruar letrën e gjatë në të cilën diplomatët e shkarkuar kanë paraqitur faktet dhe ankesën tyre për shkarkimet që i kanë cilësuar si brutale.

“Bazuar në të drejtën kushtetuese të shprehjes, përmes kësaj shkrese po ju drejtohemi si diplomatë me përvojë dhjetëvjeçare në suaza të Korit Diplomatik të Republikës së Kosovës, ku për vëmendjen tuaj, disa prej diplomatëve të shkarkuar brutalisht rishtazi përmes vendimeve kolektive të znj. Gërvalla-Schwarz (që në esencë kanë në shënjestër në mënyrë eksplicite Konkursin e datës 21 korrik 2011 në MPJ, përmes të cilit duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe administrative të absolvuara aplikuese e të kërkuara në atë kohë nga zyrtarët respektiv administrativ janë angazhuar diplomatët) kanë qenë direkt apo indirekt të involvuar (para dhe gjatë shërbimit diplomatik në MPJD/RKS) në proceset e pavarësimit dhe pastaj shtet-formimit përmbajtjesor dhe funksional të Republikës së Kosovës.”, thuhet në letrën e diplomatëve të shkarkuar që ia kanë dërguar Komisionit Parlamentar, raporton Demokracia.com.

Sipas diplomatëve të shkarkuar, ministrja Gërvalla përmes premtimit të saj elektoral për gjoja vendosjen e ligjshmërisë, ka marrë vendim që të shkarkojë diplomatët të cilët për dhjetë vite kanë qenë të angazhuar në procese të shumta.

Këta ish-diplomatë kanë vlerësuar se politika e jashtme në krye me Gërvallën është tejet pasive, e paefektshme dhe nuk ka vizion. Ata kanë shtuar se Gërvalla po i përjashton diplomatët me përvojë e përgatitje, shkruan Demokracia.com.

“Duke marrë parasysh që për një vit rresht politika e jashtme e MPJD-së në krye me znj.Gërvalla-Schwarz në suaza të mandatit tejet pasiv dhe të paefektshëm përmbajtësor të saj, pa rrugëtim vizionar, prioretizues dhe pro-aktiv e të depërtueshëm diplomatik, si dhe pa strategji dobiprurëse është praktikisht në gjendje të një status quo-je komatoze dhe duke shtuar këtu sidomos edhe përjashtimin e planifikuar e sistematik të diplomatëve me përvojë dhe përgatitje e akademike nga Kori Diplomatik i Republikës, e që ka tendencë të përfundojë në një dekompozim të kuadrove të politikës së jashtme; atëherë znj. Gërvalla-Schwarz është në rrugë të mirë për t’i dërmuar për një kohë të gjatë kapacitetet aplikative të Sektorit të Jashtëm të Republikës përgjatë proceseve akute aktuale të përmbylljes ndërkombëtare të shtetësisë dhe t’i dobësojë dukshëm komunikimet e nevojshme përtej kapaciteteve.”, thuhet në këtë letër të diplomatëve të shkarkuar për Komisionin Parlamentar.

Ata kanë vlerësuar se me veprimet e saj, ministrja Gërvalla po e bënë atë që vendimmarrësit në Beograd pareshtur po mundohen ta bëjnë më shumë se dy dekada të fundit.

“‘Fshesa” shkarkuese (siç po e quajnë disa media herë pas here) e znj. Gërvalla-Schwarz – për të vetmen gjë që do të mbahet në mend – ta kujtojnë periudhën e viteve të ’90-ta në Kosovë. Do të duhej që të besohej që pa vetëdije, znj. Gërvalla-Schwarz po e bën saktësisht atë për çka vendimmarrësit në Beograd pareshtur po mundohen ta bëjnë më shumë se dy dekada të fundit, respektivisht dobësimin e kapaciteteve të jashtme të Republikës së Kosovës. Thënë shkurt: Dëmtimi substancial i politikës së jashtme dhe përjashtimi qafëthyes i diplomatëve në rrugë – brenda ditës – më mirë nuk ka si të bëhet as nga pala me të cilën Kosova kushtimisht ende dashka të negociojë në Bruksel!”, thuhet tutje në ankesën e tyre.

Në letrën që e ka siguruar Demokracia.com thuhet se ata nuk janë shkarkuar për shkelje disiplinore, jo profesionalizëm, ndonjë skandal apo çfarëdo mospërgjigje ndaj obligimeve, por janë shkarkuar për teka të ministres Gërvalla.

“Përkëtej kërkim-faljes nga ana e saj, largimi i znj.Gërvalla do të ishte gjëja më e vogël që mund të bëhet dhe ky sektor të mvishet me një personalitet që ka biografi të pasur, përgatitje të mjaftueshme profesionale, kontakte diplomatike, njohuri të marrëdhënieve ndërkombëtare e mbi të gjitha që nuk merret me mikro-menaxhim, por që si rezon organizativ ka vizionin, përvojën dhe vullnetin që t’i shkrijë në një politikë të shëndoshë të jashtme, përfshirë motivimin e diplomatëve për angazhim të shtuar”, kanë shkruar ata, raporton Demokracia.com.

Sipas diplomatëve të shkarkuar, vendimet për largimin e anëtarëve të shërbimit të jashtëm përbëjnë arbitraritet, shkelje të sigurisë juridike dhe keqpërdorim të pozitës.

Diplomatët e prekur nga vendimet e Gërvallës kanë paralajmëruar se do ta ndjekin rrugën ligjore dhe do të kërkojnë kompensim të dëmeve.

“Diplomatët e afektuar do të ndërmarrin të gjitha veprimet dhe do t’i ndjekin të gjitha instancat për mbrojtjen e të drejtave të tyre të marrëdhënies së punës, të cilat janë shkelur në mënyrë arbitrare nga znj.Gërvalla-Schwarz, përmes vendimeve të kundërligjshme. Po ashtu, do të ndërmerren të gjitha veprimet për ndjekjen e procedurave dhe adresimit të përgjegjësisë penale si dhe kompensimit të dëmit material dhe jo material që u është shkaktuar nga vendimet e kundërligjshme”, thuhet në letrën e tyre. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme