Lajme
DOKUMENT | Deputetët e VV-së tentojnë ta ndryshojnë ligjin e kontestuar për Zyrtarët Publikë, Kushtetuesja ende pa vendim final
Demokracia
19:48 | 26 Qershor 2023

Share:

Shtatë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje: Besim Muzaqi, Valon Ramadani, Nijazi Isaku, Mimoza Kusari -Lila, Salih Zyba, Arjeta Fejza dhe Arijeta Rexhepi kanë ndërmarrë një nismë legjislative për të ndryshuar Ligjin për Zyrtarët Publikë, i kontestuar nga opozita, i cili ndonëse është miratuar nga Kuvendi i Kosovës nuk ka prodhuar ende ndonjë efekt juridik pasi që menjëherë pas miratimit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga dy partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende ndonjë vendim për ligjin në fjalë, por e kishte lëshuar një njoftim se Ligji për Zyrtarët Publikë nuk mund të dekretohet dhe as të hyjë në fuqi, si dhe as të prodhojë efekte juridike deri në vendimin final të Kushtetueses.

Në një njoftim të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani dërguar kryeparlamentarit Glauk Konjufca, thuhej se Ligji për Zyrtarët Publikë i kontestuar nga njëmbëdhjetë deputetët nuk mund të hyjë në fuqi deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shkruan Demokracia.com.

Këtë njoftim Gjykata Kushtetuese e kishte bazuar në nenin 42.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ku përkufizohet se një ligj që kontestohet nga dhjetë e më shumë deputetë nuk mund të hyjë në fuqi derisa të nxirret vendimi përfundimtar i Gjykatës.

Gjykata ka kërkuar nga kryetari i Parlamentit që para se të marrë çfarëdo veprimi për Ligjin për Zyrtarët Publikë të merret parasysh neni 42.2 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

E pas kësaj nisme të deputetëve, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i kishte shkruar letër kryeministrit Albin Kurti duke e njoftuar për nismën e deputetëve.

Konjufca ka kërkuar nga Qeveria që të paraqesë mendim me shkrim lidhur me nismën.

Demokracia.com ka siguruar letrën e Konjufcës.

“Në mbështetje të neneve 67.7 dhe 92.4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenit 70. Paragrafi 2 të Rregullores së Kuvendit, jua dërgoj Nismën legjislative “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-114 për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128, të parashtruar nga deputeti Besim Muzaqi, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë. Nisma Legjislative përmban kushtet për parashtrimin e Projektligjit të paraparë në nenin 71 të Rregullores së Kuvendit. Kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të paraqesë mendim me shkrim, të nënshkruar nga Kryeministri lidhur me Nismën legjislative; “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-114 për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128, në afatin prej 30 ditës nga dita e pranimit të këtij Projektligji. Pas kalimit të afatit të paraparë me Rregulloren e Kuvendit, Projektligji do të procedohet për shqyrtim në Kuvend.”, thuhet në letër.

Ligji për Zyrtarët Publikë, ishte miratuar në Kuvend më datën 9 dhjetor të vitit 2022.

Në shqyrtimin e këtij projektligji u tha se qëllimi kryesor i kësaj nisme ligjore është rregullimi i marrëdhënies së punës së zyrtarit publik përmes përcaktimit të rregullave dhe parimeve për statusin e punës.

Ligji në fjalë ishte kundërshtuar nga opozita, Bashkimi Evropian dhe mbi 30 sindikata të punëtorëve.

Ligji për Zyrtarët Publikë, sipas shqetësimeve të BE-së, opozitës dhe shoqërisë civile, cenon punën e administratës publike dhe politizon zyrtarët publikë pasi që pranimi në detyrë i nëpunësve civil, mbështetet mbi baza partiake.

Më 30 dhjetor PDK, e kishte dërguar Ligjin në Kushtetuese. Kjo parti, konsideron se ky ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kishte thënë se kjo kërkesë duhet të shqyrtohet sa më shpejt sepse “është shkelje e radhës e Kushtetueses”.

“Në katër pika të shkeljes se këtij ligji po e paraqesim në Gjykatën Kushtetuese dhe ne mendojmë që kjo gjykatë ka mundësi që ta pezullojë këtë ligj. Prandaj, ne kemi konsideruar në këto nene specifike të prezantojmë ankesat tona”, tha Lushtaku.

PDK dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

Kurse, Bashkimi Evropian kishte shprehur shqetësimin për disa dispozita të Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit për Pagat dhe njëkohësisht ka shprehur zhgënjimin që Kuvendi i Kosovës nuk i mori parasysh sugjerimet e tyre dhe ekipit të ekspertëve nga OECD/SIGMA.

Qëllimi i komenteve dhe sugjerimeve të BE-së ishte udhëzimi dhe mbështetja për qeverinë rreth sigurimit të një një shërbimi civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem kompensimi transparent e të bazuar në merita.

Shqetësimi i BE-së në lidhje me me miratimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë është se nuk është në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Gjithashtu, në reagim thuhet se me miratimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit për Pagat, mund të rivlerësohet ndihma e BE-së në fushën e reformave të administratës publike si parakusht drejt integrimit në BE .

BE e shqetësuar me Ligjin për Zyrtarët Publikë: S’i morën parasysh komentet tona

Demokracia.com ka raportuar nga fillimi se me këtë Ligj, shërbimi civil pëson ndryshime të shumta dhe bëhet lehtësisht i ndikueshëm ndaj çdo qeverie që vjen në pushtet.

Me këtë projektligj edhe pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues tani i kanë bërë me emërim dhe mandat të caktuar.

Të emëruarit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, të cilët kanë qenë në shërbimin civil para emërimit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, sipas këtij projektligji, sistemohen në një pozitë të lirë të kategorisë profesionale, me kusht që plotëson kriteret për emërim në pozitën në fjalë. Por, përjashtimisht me këtë, të emëruarit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, të cilët nuk kanë qenë në shërbim civil, pas përfundimit të mandatit lirohen nga shërbimi civil.

Në nenin 98, ku parashihen dispozitat kalimtare, thuhet se një vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, për të gjitha pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues do të shpallet procedura e rekrutimit përmes konkursit të hapur dhe publik, përjashtimisht për pozitat të cilat kanë qenë të lira dhe janë plotësuar gjatë fazës transitore të rekrutimit sipas nenit 97 të këtij ligji.

EKSKLUZIVE| Dokument: Qeveria Kurti i kap me ligj edhe zyrtarët publikë, i bën të shantazhueshëm nga çdo qeveri

 

Të ngjashme