Lajme
DOKUMENT| “Çlirimtari” i Shtimes vazhdon me punësimin e militantëve të LVV-së e LDK-së në komunë
Demokracia
09:30 | 25 Gusht 2022

Share:

Punësimi i aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partnerit të koalicionit qeverisës, LDK-së, nuk ka të ndalur në Shtime.

Pas punësimeve të anëtarëve të shumtë të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari Qemajl Aliu ka rehatuar edhe dy anëtarë të tjerë të partisë së tij dhe një të partnerit në koalicion, LDK-së.

Në konkursin e shpallur për Zyrtarë për Shërbime Sociale në Komunën e Shtimes janë punësuar dy anëtarë të LVV-së dhe nënkryetari i LDK-së në Shtime.

Halil Kurtishi dhe Valon Hysenaj janë pranuar në pozitat Zyrtarë për Shërbime Sociale, ndërsa nënkryetari i LDK-së në Shtime, Tafil Hasani, është pranuar në pozitën Specialist i Bujqësisë.

Sipas burimeve të Demokracia.com, Qemajl Aliu kishte tentuar ta punësonte Kurtishin edhe pa konkurs në Qendrën për Punë Sociale (QPS), mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur për shkak të rezistencës së UD të drejtorit të QPS-së.

Po ashtu, Demokracia.com ka mësuar se Kurtishi është familjar i Anita Kurtit dhe Valdet Kurtit. Valdet Kurti është kryetar i pikës së Vetëvendosjes në fshatin Zborc.

Demokracia.com javën e kaluar ka raportuar se edhe gruaja e Kurtit, Anita Kurti, është punësuar në pozitën Zyrtare e Lartë për Informim në këtë komunë, bashkëshorti i të cilës rezulton të jetë mik i afërt me kryetarin Qemajl Aliu.

Ndërsa, pozita për Hasanin, i cili është nënkryetar i LDK-së në Shtime, duket se ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit që kanë pasur këto dy parti.

Demokracia.com ka mësuar se tanimë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës janë dorëzuar disa ankesa lidhur me konkursin e shpallur nga komuna për punësim të 6 zyrtarëve publikë.

Lidhur me këto punësime, Demokracia.com ka kontaktuar edhe me anëtarët e komisionit.

Bujar Ferati, kryetar i komisionit në këtë konkurs, ka thënë për Demokracia.com se nuk ka qenë në dijeni se personat e lartcekur kanë pasur pozita në partitë që bashkëqeverisin në këtë komunë.

“Nuk kam qenë në dijeni, mua nuk më ka interesuar ajo pjesë. Nuk kam mujt me e ditë se kush ka qenë anëtar i ndonjë partie”, ka thënë shkurt Ferati për Demokracia.com.

Ndërsa, anëtari tjetër i komisionit për Zyrtar për Shërbime Sociale, ka thënë për Demokracia.com se ai nuk e ka bërë përzgjedhjen e anëtarëve.

“Çka kam të bëjë unë me atë a janë anëtarë a nuk janë? Unë nuk pyetna për atë, këta a janë anëtar a nuk janë. Unë nuk i përzgjidhi anëtarët. Mu më ka zgjedh dikush tjetër. Hajdeni në komunë edhe pyetni”, ka thënë Muharremi. /Demokracia.com/ 

LEXO EDHE:

DOKUMENTE| S’ndalen punësimet partiake në Shtime, Qemajl Aliu i “rehaton” edhe dy militantë në administratë

Të ngjashme