Arben Vitia, i cili ishte menaxher i “Olive”, është emëruar sot për të tretën herë Ministër i Shëndetësisë.
Vitia ishte Ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti II deri më 1 tetor 2021, kur dha dorëheqje nga ky post dhe njoftoi se do të merrte pjesë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Ai kandidoi për Kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Pasi humbi zgjedhjet lokale, Vitia në mars filloi punën si menaxher në laboratorin “Olive”. Por, kjo ishte në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, shkruan Demokracia.com.
Neni 18, pika 1 e këtij ligji, thotë se zyrtari i lartë publik nuk ka të drejtë të emërohet apo punësohet në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese në një institucion publik ose privat, në një periudhë deri në 2 vjet, e që para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen apo aktivitetet e tyre.
“1. Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë: 1.1. të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre;”, thuhet në këtë ligj, përcjell Demokracia.com.
Ky nen i ka ndaluar Arben Vitisë që të jetë menaxher në “Olive”, pasi ai kishte qenë Ministër i Shëndetësisë. /Demokracia.com/