Lajme
DOKUMENT| “Agjentja” e patundshmërive, Donika Gërvalla, merr përkrahjen e Kurtit për blerjen e dy objekteve të reja
Demokracia
19:24 | 18 Tetor 2023

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, nuk ia ka sjellë asnjë njohje Kosovës, por ajo po merret me blerjen e objekteve.

Ndonëse roli i saj është që të sjellë njohje e ta afirmojë diplomacinë, Gërvalla është shndërruar në një ”agjente të patundshmërive”.

Ajo ia ka propozuar Qeverisë edhe blerjen e dy objekteve të reja, të cilat janë aprovuar nga ekzekutivi në krye me Kurtin, shkruan Demokracia.com,

Në mbledhjen e Qeverisë është marrë vendim për fillimin e procedurave për blerjen e objektit për nevoja të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin të Gjermanisë.

Po ashtu, Qeveria ka vendosur të blejë edhe objektin rezidencial në Uashington të SHBA-së.

“Aprovohet propozimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për fillimin e procedurave për blerjen e objektit për nevoja të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, Republika Federale e Gjermanisë dhe blerjen e objektit rezidencial në Uashington D.C., SHBA.”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti.


Në vendim nuk precizohet sa do të kushtojnë këto dy objekte.

Muaj më parë, Kosova ka blerë edhe një vilë luksoze në Londër të Britanisë së Madhe. Ndërtesa është blerë për shumën e 6.5 milionë paundësh (7.4 milionë euro).

Vila me 530m2 hapësirë i përkiste më parë komedianit të njohur Spike Milligan.

Marrëveshjen për blerjen e rezidencës e ka bërë ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Ilir Kapiti, ndërsa ndërmjetësimi është bërë nga agjencia “Beauchamp Estates”.

Sipas medias britanike, stafi i ambasadës do të hyjë në objekt pas përfundimit të punëve për rinovimin e ndërtesës. Vila është ndërtuar në vitin 1890 dhe raportohet se ka dhoma të mëdha në katin përdhesë dhe katin e parë.

Po ashtu, ajo ka tavane të larta dhe dritare të gjata dhe është e vendosur në një prej rajoneve më të favorshme që kërkohen për ambasada. /Demokracia.com/

Të ngjashme