Kosova do të marrë pjesë në “Summit of the Americas”, i cili do të mbahet në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara.
Kosova si rrallëherë do të përfaqësohet në një multilaterale nga Donika Gërvalla-Schwarz, pa u ruajtur nga Osmani apo Kurti se mos bënë ndonjë gabim diplomatik.
Në këtë samit, Gërvalla do të marrë pjesë me ftesë të Sekretarit të Shtetit, Antony J.Blinken.
Demokracia.com ka siguruar agjendën e plotë të këtij samiti.
Demokracia.com ka vërejtur se shumica e vendeve që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në samit përfaqësohen nga presidenti apo kryeministri i shtetit, por kështu nuk ndodh edhe me shtetin tonë.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ishin për vizitë në SHBA, por ata nuk arritën të takohen as me sekretarin Blinken dhe as më zëvendëspresidenten Harris apo presidentin Joe Biden, shkruan Demokracia.com.
Por, Gërvalla që njihet për huqje të vazhdueshme, duket se shumë shpejt mund t’i bëjë shumë xhelozë dy krerët e shtetit, Osmanin e Kurtin.
Ndonëse sipas agjendës nuk del se ajo do të ketë takim sy më sy me ndonjërin nga udhëheqësit e lartë amerikanë, Gërvalla të paktën do ta ketë mundësinë që t’ua zgjasë dorën presidentit Biden dhe sekretarit Blinken.
Në agjendën zyrtare të siguruar nga Demokracia.com nuk figuron se Gërvalla do të flasë në ndonjë panel të këtij samiti.
Me vete, Gërvalla pritet t’i marrë edhe shefin e kabinetit të saj, Sharr Jakupin dhe këshilltarët Rexhep Gjergji e Kristian Dodaj.
Demokracia.com, po ashtu, merr vesh se Ambasada e Kosovës në SHBA ka kërkuar angazhim të “Diplomatik Security” për delegacionin e Kosovës.
Sipas një e-maili që ka siguruar Demokracia.com, kjo po bëhet në mënyrë që të lehtësohet lëvizja nga hoteli si qasje në objektin ku do të mbahet samiti.
Në këtë e-mail, Ambasada e Kosovës shpreh shqetësimin e saj që nuk mund të sigurojë shumë takime bilaterale. /Demokracia.com/