Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë është mbajtur më 20 qershor në hotelin “Garden” në Prishtinë. Ky hotel menaxhohet nga një përkrahës i “flakët” i kryeministrit Albin Kurti.
Albin Kurti e Edi Rama takimin dhe dreken e fundit të përbashkët e kanë shijuar në Prishtinë, në hotelin “Graden”, ku edhe është mbajtur mbledhja e dy qeverive në muajin qershor.
Por, duket se jo rastësisht kjo mbledhje ishte mbajtur në këtë hotel, shkruan Demokracia.com.
Ky hotel është në bashkëpronësi të Shkëlzen Shalës, i cili nga postimet në rrjetet sociale vërehet se është një përkrahës i madh kryeministrit Albin Kurti.
Në këtë mbledhje të përbashkët me sallë tepër të ngushtë u morën disa vendime. Por, sa i kushtoi ky takim i dy qeverive buxhetit të Kosovës?
Demokracia.com përmes një kërkese zyrtare ka siguruar shpenzimet e bëra nga Qeveria Kurti.
Salla për mbledhjen dhe dreka zyrtare ka kushtuar në total 9 mijë e 482 euro.
Furnizimi me lule ka kushtuar 875 euro.
Eventi-bina, banerë, tepison, folderë e fletore, 6 mijë e 835 euro.
Pajisjet e zërimit, 500 euro.
Ndërsa, shuma totale e shpenzuar është 17 mijë e 692 euro.
Demokracia.com ka parë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) se hotel “Garden” është në bashkëpronësi të përkrahësit të Kurtit, të cilin ai po e favorizon me mbështetje.
Demokracia.com kishte kontaktuar një ditë para se të mbahej mbledhja e dy qeverive edhe me Shalën për të marrë një deklaratë nga ai, nëse ky ka qenë një favorizim që i është bërë për shkak të përkrahjes së madhe që ai ka ndaj kryeministrit Kurti.
Shala kishte pranuar që është përkrahës i Kurtit, megjithatë pyetja e gazetares për këtë rast i ishte dukur banale.
“Jo nuk ka të bëjë kjo pjesë. Edhe për këto informacione po me duket banale me ba këso pyetje. Përkrahje i japi atij që është drejtë gjithmonë. Po ka pas procedura dhe s’ka të bëjë kjo pjesë me favorizim”, ka thënë Shala për Demokracia.com.
Ai nuk ka pranuar të japë detaje se çfarë procedurash janë kërkuar, që kjo mbledhje të mbahet në hotelin e tij.
“Jo nuk muj me të tregu, edhe nuk munesh mem më marrë në pyetje në këso forme”. /Demokracia.com/
FOTO| Dy qeveritë mblidhen në hotelin e përkrahësit të Albin Kurtit – Demokracia