Lajme
DOKUMENT| 3.2 milionë euro, tenderi ‘Copy-paste’ për baballarët e tenderëve të mirëmbajtjes së rrugëve në Prishtinë
Demokracia
09:40 | 26 Tetor 2023

Share:

Tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve janë fituar disa herë nga të njëjtat kompani në Komunën e Prishtinës. “Toifor”, ” V.Z. Company “, “DARDANIAA”, janë disa nga kompanitë e afërta më pushtetin e LDK-së që tradicionalisht kanë marrë punë në këtë komunë.

Zyra e prokurimit e kësaj komune ka shpallur fituesit e njëjtë sikurse herën e kaluar për mirëvajtjen e rrugëve. Tenderi që pritet të lidhet në dhjetë kontrata për tri vite kap shifrën 3.2 milionë euro, shkruan Demokracia.com.

‘Mirëmbajtja verore e rrugëve dhe trotuareve (fshirja, larja, pastrimi i kanal. atmosferik dhe ujëmbledhësit)”. Decidivisht kështu quhet tenderi, i cili është i ndarë në dhjetë lote, për të cilin Komuna e Prishtinës synon të lidhë po kaq kontrata.

Fituesit janë bërë publik sot dhe kontrata do të nënshkruhen këtë të enjte, pasi nuk pritet të ketë ankesa, meqë nga 11 garuesit, dhjetë kanë marrë tender dhe disa prej kompanive janë të lidhura mes vete.

Kontratat do të jenë valide për 36 muaj. Kontratat e vjetra ishin lidhur në nëntor të vitit 2021 dhe kanë pasur validitet për 3 vite, çka do të thotë se ato janë valide edhe për një vit.

Për Lot 1 është shpallur fitues Grupi i Operatorëve Ekonomik: “V.Z. Company” Sh.p.k.; ” MEL Engineering” SH.P.K. me çmim prej 357,197.05 euro. Kompania “V.Z. Company” tradicionalisht ka fituar në komunën e Prishtinës në kohën sa ka qeverisur LDK-ja. Sidomos 2009-2013, kompania e njëjtë kishte fituar edhe tenderin e rrugëve për lot 1.

Lot 2 e ka fituar kompania ‘EL-BAU’ më një çmim prej 364,724.05 eurove. Kompania e njëjtë ka kontratë valide me komunën për lot 2.

Për Lot 3 është lidhur kontratë më kompaninë Toifor Sh.p.k. në një çmim prej 361,785.90. Edhe kjo kompani tradicionalisht merr punë në mirëmbajtjen e rrugëve në Prishtinë. Po ashtu, e njëjta ka kontratë valide për lot 3 me komunën e Prishtinës, e cila skadon në nëntor të vitit 2024.

Për Lot 4 është shpërblyer Grupi i Operatorëve Ekonomikë: “NITI – N” SH.P.K.; MILENIUM KONSTRUCTION SH.P.K në një vlerë prej 335,055.39 eurove. Të dyja marrin punë kryesisht nga pushtetet e LDK-së. Po të dyja, bashkë edhe më një kompani tjetër, kanë kontratë valide më komunën për lot 4.

Për Lot 5 është rekomanduar për kontratë Grupi i Operatorëve Ekonomikë “Zahiri” SH.P.K.; Kanalprofis Group SH.P.K. në një vlerë prej 364,800.10 eurove. “Zahiri”, e cila ka marrë në Prishtinë dhjetra tenderë, ka kontratë valide me komunën për lot 5 deri në vitin 2024.

Për Lot 6 është shpërblyer më kontratë kompania e afërt me njerëzit e LDK-së, “DARDANIAA” SH.P.K., në një vlerë prej 441,657.47 eurosh. E njëjta ka kontratë më komunën edhe për një vit, pikërisht për lot 6.

Për Lot 7, Grupi i Operatorëve Ekonomikë ECO CLEAN & ENERGY; Bujar Shabani B.I. më çmim 393,189.76. E njëjta nuk ka pasur kontratë me komunën për mirëmbajtjen, por viteve të kaluara ka fituar tenderë kryesisht për ndërtim.

Për Lot 8, Grupi i Operatorëve Ekonomikë “ANUAR SH.P.K.; AVAG GROUP SH.P.K.; IBRAHIM KURRUMELI B.I. me çmim prej 164,141.67 euro. “Anuar” ka kontratë më komunën për lot 9.

Ndërsa, për Lot 9 është kompania VIA EGNATIA SH.P.K. me çmim prej 175,980.41 eurosh. Kompania e njëjtë ka kontratë valide për lot 8.

Për Lot 10, Grupi i Operatorëve Ekonomikë VJV GROUP L.L.C.; Rahovica Comerce SH.P.K.; EUROTRANS SH.P.K. me çmim prej 314,004.83 eurosh.

Të gjitha ofertat kapin vlerën prej 3, 272, 532 euro.

Herën e fundit ishin lidhur gjithsej 11 kontrata. /Demokracia.com/

Të ngjashme