Lajme
DOKUMENT | 3.2 milionë euro për kompaninë e biznesmenit ku u përgatit “Rruga e Re”
Demokracia
11:00 | 11 Mars 2024

Share:

Në fund të vitit të kaluar, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me anëtarë të tjerë të partisë ishte shfaqur në një fotografi rreth një tryeze për të treguar se po e përgatisnin platformën politike “Rruga e Re”. Platforma ishte hartuar në ‘Hotel Brezovica’, e cila është në pronësi të biznesmenit Abedin Salihu. Vetëm pas pak muajve, Komuna e Prishtinës që drejtohet nga LDK-ja e ka nxjerr fituese kompaninë e biznesmenit Salihu për një tender milionësh, shkruan Demokracia.com.

“Ndërtimi i urave në pjesën perëndimore të unazës qendrore”, i është besuar kompanmisë N.T.SH. “Dino” Sh.p.k, e cila është në pronësi të Abedin Salihut. Aksionarë në kompani janë edhe disa persona të tjerë të familjes Salihu. Vlera e tenderit të kompanisë ofertuese është 3,298,455.90 euro. Pos kësaj kompanie në garë kanë qenë edhe tri konzorciume të tjera.

Platforma e LDK-së, e cila ishte finalizuar në pronën e biznesmenit Abedin Salihu në një qëndrim dyditorë të zyrtarëve ishte promovuar si zgjidhja e vetme për Kosovën.

Abdixhiku në disa nga adresimet e tij thoshte se ‘Rruga e re’ do t’i ketë krejt përgjigjet për secilën fushë jetësore.

“Në tetor një konventë e madhe e ‘Rrugës së re’, një program politik i detajuar. Pra, krejt përgjigjet do t’i kemi, për shëndetësi, për arsim, për ekonomi, për çdo temë e politikë të jashtme”, thoshte ndër të tjera Abdixhiku.

Abdixhiku, më tej e sponsorizonte ‘Rrugën e Re’ tek simpatizantët e LDK-së si platformë unifikuese, teksa kritikonte polarizimin e shoqërisë kosovare.

“Polarizimi i shoqërisë sonë nuk ka të ndalur. Pushteti po na ndanë, po na përçanë, po na lë në të njëjtin vend. Përplasjet na vijnë çdo ditë, krizat po aq shpesh e ne jemi shndërruar spektatorë të fatit tonë teksa njerëz me plot urrejtje a pa vullnet për punë vendosin për ne. Rruga e re si rizgjim kombëtar është domosdoshmëri”, thoshte Abdixhiku përmes një videoadresimi në Facebook, përcjell Demokracia.com.

Biznesmeni Abedin Salihu që është i dyshuar në rastin “Brezovica”, për një kohë qëndroi në arrati nga organet e drejtësisë. Ai e kishte arsyetuar arratinë e tij, duke thënë se ka trajtuar jashtë vendit problemet shëndetësore nga Covid-19. Edhe për tenderin për të cilin Komuna e Lipjanit kërkoi që firma “Dino Shpk” të futej në listë të zezë, firma e Salihut ka përdorë si arsye përsëri Covid-19.

Kompania “Dino” e multimilionerit Salihu është e përfshirë edhe në një skandal tjetër, atë të palestrës së Zhegrës në Gjilan.

Në vitin 2018, Komuna e Gjilanit kishte zgjedhur konzorciumin e kompanive “Visioni Projekt” dhe ”Dino”, fituese të tenderit për ndërtimin e Palestrës së Sporteve në fshatin Zhegër.

Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate kapte vlerën e 95 mijë e 965 eurove, shkruan Demokracia.com.

Kompanitë ishin të obliguara që punimet t’i kryenin sipas kontratës dhe sipas planit dinamik prej 25 ditësh, por ato nuk ishin kryer.

Salihu e ka një dosje mjaft të bujshme me vepra penale që nga viti 2002 e tutje. /Demokracia.com/

Të ngjashme