Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka hapur një tender në vlerë 75 mijë euro për bileta avioni. Është paraparë të udhëtohet në 200 relacione të botës.
Ministrja Rozeta Hajdari duket se ka vendosur të shëtisë botën cep më cep. Madje, ajo duket se në disa shtete do të shkojë edhe më shumë se një herë.
Kjo për faktin se zyrtarisht në tokë deri më sot ekzistojnë 196 shtete, kurse Hajdari ka paraparë t’i bëjë 200 udhëtime në relacione të ndryshme të botës.
“Shërbimet e transportit ajror për nevojat e MINT. Vlera e parashikuar e kontratës: 75,000.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 18.06.2024. Sasia apo fushëveprimi i përgjithshëm: 200 relacione të botës”.
Në shpalljen e tenderit është treguar se blerja e këtyre biletave po bëhet pasi janë shpenzuar ato që i kanë pasur më herët në dispozicion.
“…jep arsyetim: Harxhimi i sasisë së kontratës aktuale dhe mosmbetja pa kontratë, paraqitja e nevojave të domosdoshme për institucionin për sigurimin e këtyre shërbimeve” .
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka treguar edhe disa kushte që duhet t’i plotësojë kompania fituese.
“Operatorët ekonomikë duhet t`i plotësojnë të gjitha kërkesat. Çdo mospërmbushje e ndonjërës nga kërkesat do të eliminojë tenderin e tyre nga konkurrimi. Në mënyrë që të dëshmohet se operatori ekonomik ka të drejtë pjesëmarrjeje në procedurën e prokurimit, operatori ekonomik duhet të dorëzojë dëshmitë e dokumentuara të shënuara në FDT”.
Ministria ka caktuar një çmim prej 380 eurosh për një biletë, por ky çmim është thënë se është vetëm për kalkulime.
“Vlera e biletës prej 380 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdorët vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës pasi që çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit. Kontrata do të bazohet në sasi”.
*Tarifa e shërbimit duhet dhënë vetëm me dy numra pas presjes dhjetore, (p.sh. 3.59 €). Çdo numër i shënuar pas dy (2) numrave të presjes dhjetore nuk do të merret për bazë në llogaritje të vlerës së ofertës”. /Demokracia.com/