Lajme
Dodik thotë se nuk brengoset për sanksionet e Britanisë së Madhe
Demokracia
15:10 | 11 Prill 2022

Share:

Duke reaguar ndaj sanksioneve, Milorad Dodik ka thënë se do të ndërpresë marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar.

Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Dodik ka thënë se nuk brengoset për sanksionet, pasi nuk ka asnjë pronë në Britani dhe se nuk ka qenë atje tash e 10 vjet.

Më 5 janar të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit ka vënë po ashtu sanksione ndaj Dodikut.

Departamenti amerikan i Thesarit pati thënë atëbotë se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

Të ngjashme