Lajme
Dodik: Republika Serbe do të jetë e pavarur, Beqiroviqi i urren serbët
Demokracia
13:51 | 08 Prill 2023

Share:

Udhëheqësi i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, tha se ky entitet do të bëhet i pavarur.

“Republika Serbe do të bëhet shtet i pavarur, sepse, në Bosnjë e Hercegovinë, ne nuk mund të jemi pjesë e nismave rajonale që do të mund të ishin të dobishme për ne”- tha politikani serb.

Ai pretendoi se Bosnja e Hercegovina është bërë “terren trajnimi” për ambasadorin e ShBA-së në Sarajevë dhe e akuzoi anëtarin boshnjak të Këshillit Presidencial, Denis Beqiroviq, për urrejtje ndaj serbëve, raporton agjencia “Anadolu”.

“Porsa të zgjohet nga gjumi, Beqiroviqi menjëherë i urren serbët. Ne jetojmë në një shtet të pamundur, ku disa ambasada bëjnë praktikë në ne, por edhe kjo do të kalojë një ditë. Bosnja e Hercegovina është terren trajnimi i ambasadorit amerikan, por edhe ata do të kalojnë, tha Dodiku.

Muajin e kaluar, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, krahasoi një qëndrim politik të Dodikut me atë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Dodiku tha se së shpejti do të miratohet një ligj që ua ndalon anëtarëve të komunitetit LGBT hyrjen në institucione arsimore.

Vendimi u mbështet në synimin e autoriteteve lokale për t’i ruajtur vlerat tradicionale familjare të popullit të Republikës Serbe, tha ai.

Më herët, Dodiku tha se politika e ShBA-së dhe Britanisë e ka shndërruar Bosnjën në vend të mallkuar dhe e ka për qëllim shpërbërjen e Republikës Serbe.

Sipas Dodikut, serbët lokalë nuk besojnë se ShBA-ja dhe Britania janë miqësore ndaj tyre.

Të ngjashme