Lajme
Dodik: Asociacioni në Kosovë një ditë do të bëhet Republikë Serbe
Demokracia
22:00 | 24 Janar 2023

Share:

Presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka arritur ta kthejë çështjen e Kosovës nga një pozicion humbës në agjendë dhe në fokus të interesit, duke theksuar se serbët duhet të jenë të bashkuar për negociata.

“Ajo se çfarë mund të shihet është që pasojat që kemi mundur të dëgjojmë për Kosovën është ajo që të ndërpritet rruga evropiane, që do të ndalen investimet dhe futen prapë vizat. Këto janë pasoja serioze”, ka deklaruar Dodik.

Sipas fjalëve të tij, këto pasoja mund të ndryshojnë edhe pozitën ekonomike, sociale dhe gjeopolitike për serbët.

Ai ka thënë se kërcënimet e Perëndimit janë rritur dhe në këtë aspekt pozita e Gjermanisë është forcuar.

“Gjermania, e cila është antiserbe në zonën e Ballkanit dhe gjithmonë ka qenë, asnjëherë nuk ka qenë racionale, reale dhe gjithmonë ka qenë kundër serbëve. Po ashtu, edhe tash është në raport me Kosovën”, ka thënë Dodik, shkruan Klix.ba, përcjell Klankosova.tv.

Kur bëhet fjalë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, ai është shprehur se “është mirë që flasin për Republikën Serbe”, meqenëse siç thotë ai, shqiptarët shpesh thonë se nuk duan Republikë Serbe në Kosovë.

“Kjo është një gjë e mirë që po flasin, kjo një ditë do të jetë Republikë Serbe. E mendoj në kuptimin e plotë. Do të quhet Asociacioni i Komunave [me Shumicë – red.] Serbe, do të ketë funksionet ekzekutive të qeverisë ashtu si Republika Serbe, marrëdhënie të veçanta me Serbinë ashtu si Republika Serbe. Për ta ky është problem dhe krejt çka flitet është për të”, shprehet Dodiku.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha të hënën mbrëma, se në takim me pesëshen perëndimore i është thënë atij se Serbia duhet të pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në të kundërtën do të përballet me ndërprerjen e procesit të integrimit evropian, ndalimin dhe tërheqjen e investimeve dhe të gjitha masave gjithëpërfshirëse që do të shkaktojnë dëme të mëdha në vend.

Të ngjashme