Lajme
Doarsa Kica – Albin Kurtit: Testoji ti partitë që kanë shprehur gatishmërinë ta votojnë ndonjë kandidate tjetër për kryeparlamentare
Demokracia
11:27 | 21 Maj 2025

Share:

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili tha se një marrëveshje politike është “e domosdoshme” për formimin e institucioneve, dhe se LVV-ja e ka këtë përgjegjësi.

E pyetur për deklaratat e kryetarit të LVV-së Albin Kurti mbrëmë në RTK, ku tha “le ta votojnë Albulenën dhe të më testojnë mua” se a mund ta bëjë qeverinë, ajo përmendi se ka parti politike që kanë thënë se do ta votonin ndonjë propozim tjetër të partisë së parë për kryeparlamentarin.

“Nëse ti dëshiron ta zgjedhësh kryetarin e Kuvendit që ta nisësh orën demokratike, shko urdhëro te ato parti politike që të kanë ofruar madje edhe emra. Testoji tash ti ata. Pse po kërkon të të testojnë ty? Testoji ti ata, ta shohësh nëse e kanë të mirëqenë propozimin për dy kandidate gra madje”, tha ajo.

Kica Xhelili tha se “është njëfarë domosdoshmërie e secilit që ta gjejë fajtorin diku tjetër”.

“Nuk mund të bëhet asnjëherë kryetari i Kuvendit pa marrëveshje politike, sepse kërkohen 61 deputetë që asnjëherë nuk i kanë takuar një partie politike si tërësi. Nëse jo me partitë tjera, është dashur të bëhet marrëveshje me partitë minoritare, sepse janë edhe nënkryetarët e tyre”, tha ajo.

Në çdo variant, ajo tha se nevojitet një marrëveshje politike, pasi ajo është “çështja kryesore”.

“Ne nuk jemi të obliguar ta votojmë një person, në mendësinë antikushtetuese të të cilit ne nuk e gjejmë veten”, tha ajo.

Prononcimet e Kurtit, ajo tha se nuk ka nevojë as t’i komentojë.

“Sa i përket prononcimeve të deputetit Kurti, nuk vlerësoj që as kam nevojë më të komentojë, për faktin që ne kemi parashtruar kallëzim penal ndaj tij, sepse mënyra se si ai vazhdon të shkojë në qeveri, t’i shfrytëzojë mjetet e qeverisë, të marrë vendime të kundërligjshme, e bën ploitësisht të padenjë që ta komentojë”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së tha se “ai duhet ta lirojë atë pozicion ose të ia kalojë një ushtruesi të detyrës detyrat që i ka, ose të heqë dorë nga e drejta e tij për deputet”, pasi “nuk mund t’i bëjë të dyja”.

 

Të ngjashme