Sport
“Do Zoti, mposhtim Serbinë” – Berat Gjimshiti nderohet në vizitën e tij në Bujanoc
Demokracia
19:45 | 28 Maj 2025

Share:

Kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti, ishte mysafir i veçantë këtë të mërkurë në komunën e Bujanocit, ku u prit nga kryetari Arbër Pajaziti. Një takim simbolik, por me mesazhe të forta, vetëm pak ditë para ndeshjes së shumëpritur Shqipëri – Serbi.

Në një atmosferë miqësore, Pajaziti shprehu mirënjohje për rolin dhe përfaqësimin dinjitoz të Gjimshitit me fanellën kuqezi. “Ti je model për të gjithë të rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës. Me përkushtimin dhe karakterin tënd, po i jep zë krenarisë sonë kombëtare,” tha ai.

Por përtej fjalëve mirënjohëse, kryetari kishte edhe një porosi të drejtpërdrejtë: “Duhet ta mposhtësh Serbinë!” – një thirrje që u prit me duartrokitje në sallë.

Gjimshiti, me modesti, u përgjigj shkurt: “Me kismet.” Pas përsëritjes së kërkesës nga një i pranishëm tjetër, mbrojtësi shtoi: “Do Zoti.”

Vizita e kapitenit kuqezi në Bujanoc vjen në prag të ndeshjes vendimtare të datës 7 qershor, ku Shqipëria përballet me Serbinë në Tiranë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Kjo sfidë pritet me interes të jashtëzakonshëm në të gjitha trevat shqiptare dhe shihet si më shumë se një ndeshje – një përballje me peshë historike dhe emocionale.

Të ngjashme