Spanja, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia janë pesë nga 27 vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Për shkak të deklaratave të Departamentit amerikan të Shtetit dhe BE-së, pritshmëritë janë që qëndrimi i pesë shteteve mos-njohëse të ndryshojë. Kjo, për shkak të Marrëveshjes së Ohrit.
Drejtori i Qendrës për Rajonalizëm, Aleksandar Popov, ka thënë se nëse do të ketë njohje të reja të pavarësisë së Kosovës, ajo nuk do të pasojë individualisht, por do të njihet nga të pesë vendet përnjëherë, raporton “Kosovo-Online”, përcjell Demokracia.com.
“Më duket se do të jetë një lloj pakoje, e cila do të pasonte si marrëveshje brenda BE-së dhe pasoja do të ishte që ato vende të mos e pengojnë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me përjashtim të Kombeve të Bashkuara. Moment kyç do të jetë formimi i Asociacionit, por edhe largimi nga zbatimi i marrëveshjes në Ohër”, vlerëson Popov.
Dragisha Mijaçiq, koordinator në Serbi i Konventës Kombëtare të BE-së për kapitullin 35, beson se marrëveshja në Ohër ka një rol të rëndësishëm që çon drejt njohjeve të reja.
“Është ende herët për të folur, duke kujtuar edhe pritjet se realizimi i saj do të çojë në njohjen e pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë. Bazuar në gjithçka që kemi parë në ditët e para pas arritjes së marrëveshjes, njohjet e reja të pavarësisë së Kosovës do të ishin befasi, megjithatë, marrëveshja sigurisht që do të kontribuojë në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, në atë mënyrë që të gjenden zgjidhje kreative për anëtarësimin e saj në shumë organizata botërore, evropiane dhe rajonale”, deklaroi Mijaçiq.
“Për sa i përket vetë Greqisë, në ato qarqe diplomatike ka kohë që ekziston një mendim se Greqia duhet të rregullojë marrëdhëniet e saj me shqiptarët. Nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se qeveria aktuale në Greqi është nën ndikimin e fortë të Uashingtonit, kështu që nëse Uashingtoni kërkon diçka në këtë drejtim, mendoj se Greqia do të ndryshojë qëndrim”, tha tutje ai. /Demokracia.com/