“… do të shohim kush mund që të shkojë që të bisedojë për Dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”.
Kjo deklaratë e Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, me anë të së cilës delegon përgjegjësitë kushtetuese të Qeverisë së Kosovës, nuk është në pajtueshmëri me nenin 4 (4), 93 (1) dhe 94 (9) të Kushtetutën e Republikës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Përveç kësaj, kjo deklaratë e Zëvendësit të Kurtit është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO 43/19 me anë të të cilit ishte hedhur poshtë Ligji nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë.
Për më tepër, ky Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese është nxjerrë pas ankesës së përbashkët të Albulena Haxhiut, Driton Selamanaj dhe 30 deputetë të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kosova dhe Serbia janë ftuar në Bruksel që të diskutojnë për çështjen e Dinarit më 27 shkurt 2024. Siç ka bërë të ditur BE-ja, dërgimi i ftesave i kanë paraprirë takimet ndaras më 16 shkurt në Munih të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Deri më tani nuk është vendosur se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë takim, ndonëse pjesëmarrja eventuale dhe e vetme e BQK-së në tryezën e dialogut, pa kryenegociatorin e Qeverisë së Kosovës, ngre shumë pikëpyetje, shkruan Demokracia.com.
2019 – AKTGJYKIMI QË NDALON DELEGIMIN E DETYRAVE TË QEVERISË
Deputetët e partisë së Kurtit dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin ankuar në Gjykatë Kushtetuese nga ku kishin kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë.
Deputetët e LVV-së dhe të LDK-së pretendonin se ky ligj nuk është në pajtueshmëri me Kushtetuën dhe në thelb kishin tri pretendime kryesore: (i) përcaktimi dhe ndryshimi i hierarkisë institucionale kushtetuese dhe vendimmarrëse në dialogun me Serbinë; (ii) kompetencat ligjore të delegacionit shtetëror ndërhyjnë drejtpërdrejtë në kompetencat kushtetuese të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, si dhe (iii) dhënia e karakterit lex specialis Ligjit të kontestuar.
Në këtë mënyrë, deputetët e LVV-së dhe LDK-së po kundërshtonin Ligjin në fjalë që krijonte Delegacionin Shtetëror të Republikës së Kosovës për Dialogun me Republikën e Serbisë.
Ky Delegacion, sipas ligjit, “autorizohej nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për negociim dhe arritje të marrëveshjeve gjatë procesit të Dialogut, në konsultim me Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.
Gjykata Kushtetuese ishte pajtuar me deputetët e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi kishte vlerësuar se “Delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. Si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”.
Kushtetuesja kishte konstatuar qartësisht se nuk mund të barten kompetencat e institucioneve kushtetuese dhe se normat kushtetuese në mënyrë shprehimore përcaktojnë obligimin përkitazi me ushtrimin e kompetencave.
Neni 4 i Kushtetutës së Kosovës, të cilit i referohet Gjykata Kushtetuese, nuk parasheh askund Bankën Qendrore të Kosovës në ushtrimin e kompetencave të tilla, pra të ndarjes së pushteteve.
Pra, Gjykata Kushtetuese, me Aktgjykimin e saj ka përcaktuar edhe institucionet përgjegjëse për çështjen e dialogut, në këtë rast edhe të dialogut me Serbinë.
Edhe neni 93 (3), që përcakton kompetencat e Qeverisë së Kosovës, e qartëson edhe më shumë situatën. Sipas këtij neni, Qeveria ka kompetencë të propozojë dhe zbatojë politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit.
Një nen më pas, 94 (9), që përcakton kompetencat e Kryeministrit, qartëson gjithashtu se për zbatimin e politikës së jashtme të vendit, këshillohet me Presidentin.
Aktgjykimi i plotë:
https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=20576
BQK NË DIALOG PA KRYENEGOCIATORIN E QEVERISË?
Deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht se kush do të përfaqësojë Kosovën në këtë takim, por institucioni i vetëm që është i përfshirë në këtë temë është Banka Qendrore e Kosovës, e cila nga 1 shkurt 2024 ka filluar zbatimin e Rregullores së re lidhur me operacionet me paratë e gatshme.
Më 6 shkurt 2024, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka bërë të ditur se i kanë dërguar letër Bankës Qendrore të Serbisë në të cilën kanë shprehur gatishmërinë për të gjetur zgjidhje për qytetarët serbë të Kosovës, pas vendimit të këtij institucioni për ndalimin e përdorimit të dinarit dhe që euroja të jetë valuta e vetme në Kosovë.
“Sot [6 shkurt 2024] ne i kemi dërguar një letër Bankës Qendrore të Serbisë në të cilën kemi shprehur gatishmërinë tonë për shkak se këta janë qytetarët tanë që t’ju ofrojmë mbështetjen tonë dhe të paraqitemi si ndërmjetës nëse ka nevojë në gjetjen e një zgjidhjeje e cila është më se efikase sa i përket transferit të mjeteve në sistemin bankar të Kosovës në euro. Ekzistojmë tashmë modele të njohura ku në disa prej tyre i kemi shpjeguar në letër. Pra, është çështje e vullnetit dhe gatishmërisë për t’i transferuar mjetet dhe jo çështje e mungesës së mekanizmave, kurse kur nuk do me zgjedh një problem mund të gjenden sado arsye – ne duam me zgjedh problemin dhe s’kemi pasur asnjë qëllim krijimin e vështirësive”, ka thënë Ismaili. /Demokracia.com/