Lajme
“Do të kthehet në orën 08:00”, Rizvanollit nuk i del parashikimi, vetëm një bllok në funksion në KEK
Demokracia
19:37 | 10 Prill 2025

Share:

Pavarësisht premtimit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, se blloku B2 i Termocentralit Kosova B do të rikthehej në funksion deri të enjten në orën 08:00 të mëngjesit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Edhe më tutje, prodhimi i energjisë në Kosovë mbështetet vetëm në një bllok – A4 i Kosova A  me kapacitet prej 115 megavatësh. Kjo situatë e rënduar energjetike vjen në një kohë kur kërkesa ka arritur kulmin për shkak të temperaturave të ulëta, ndërsa vendi vazhdon të mbulojë mungesat me importe të kushtueshme, shkruan Demokracia.com.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është futur në një nga krizat më të rënda të muajve të fundit. Nga pesë blloqet prodhuese të dy termocentraleve  Kosova A dhe Kosova B aktualisht në funksion është vetëm një blloku A4 i Termocentralit Kosova A.

Demokracia.com raportoi dje se ky bllok është duke prodhuar vetëm 115 megavatë orë (MW) energji elektrike, ndërsa 68 MË të tjera po sigurohen nga burimet e ripërtëritshme të energjisë (BRE).

KEK në kolaps, vetëm një bllok po prodhon energji, Kosova futet në krizë të rëndë energjetike

Në total, Kosova aktualisht prodhon vetëm 183 MW energji, një shifër jashtëzakonisht e ulët krahasuar me nevojat reale të vendit. Kërkesa për energji ka shënuar rritje për shkak të uljes së temperaturave, duke arritur mbi 900 MW. Diferenca e madhe mes prodhimit dhe kërkesës po mbulohet përmes importit.

Pas publikimit të artikullit nga Demokracia.com, KEK ka lëshuar menjëherë një komunikatë, ku ka bërë të ditur se blloku B2 është ndalur në orët e hershme të mëngjesit për shkak të rrjedhjeve të ujit, ndërsa rikthimi në prodhim pritet të ndodhë brenda 48 orëve. KEK ka bërë të ditur gjithashtu se ka siguruar rreth 5,000 MËh nga importi për të kompensuar mungesën e prodhimit të kësaj njësie.

KEK konfirmon ndaljen e B2-shit për shkak të një rrjedhje, por hesht për prodhimin real

Në orët e pasdites së djeshme, KEK-un e vizitoi edhe ministrja Artane Rizvanolli. Ajo paralajmëroi se blloku B2 do të kthehet në funksion në mëngjesin e së enjtes.

“Në KEK vizitova punimet e remontit në Bllokun B1 në TC Kosova B, i cili po zhvillohet sipas planit dhe i paraprin fillimit të modernizimit të turbinës në Bllokun B2, që do të nisë në fund të prillit. Investimet e këtij viti do t’ia rrisin kapacitetin kësaj njësie për rreth 15 MË, ndërsa me përfundimin e plotë të rehabilitimit, TC Kosova B do ta rrisë kapacitetin për 80 MË, prodhimin vjetor për 600 GWh dhe jetëgjatësinë për 20 vjet.

Gjatë vizitës, u informova se në Bllokun B2 kishte një rrjedhje, si pasojë e së cilës blloku është dashur të nxirret jashtë funksionit mbrëmë pas mesnate. Megjithatë, ekipet janë duke punuar me intensitet të lartë dhe blloku pritet të rikthehet në funksion deri nesër në orën 08:00”, ka shkruar Rizvanolli, duke falënderuar punëtorët dhe menaxhmentin që po punojnë me përkushtim në remontin e Bllokut B1 dhe sanimin e rrjedhjes në Bllokun B2.

Megjithatë, Demokracia.com nga burimet e veta të mirëinformuara brenda KEK-ut, ka mësuar se blloku B2 ende nuk është kthyer në prodhim, të paktën jo deri në orën 19:30 të ditës së enjte. Si rrjedhojë, edhe më tutje vetëm një bllok është në funksion me kapacitet prodhues prej 115 MW.

Dy ditë më herët, KEK njoftoi se edhe njësia A3 e Termocentralit Kosova A është ndalur nga prodhimi për shkak të një problemi serioz me humbje uji. Në një komunikatë për media, KEK sqaroi se ndalja ka ndodhur më 8 prill 2025, në orën 23:59, si masë parandaluese për të shmangur një defekt më të madh në sistem.

“Në lidhje me këtë, KEK ka njoftuar me kohë Kompaninë për Distribuim të Energjisë Elektrike dhe ka marrë masa që kapacitetet e njësisë A3 të mos nominohen për ditën e nesërme. Ekipet tona të ekspertëve janë në gatishmëri për të identifikuar dhe sanuar çdo defekt që mund të jetë shkaktar i këtij problemi, sapo të krijohen kushtet (pas ftohjes së njësisë), për ta rikthyer atë në funksion në kohën optimale”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Gjithashtu, KEK ka njoftuar se njësia gjeneruese B1 e Termocentralit Kosova B është në remont të rregullt vjetor, i cili ka filluar më 23 mars dhe pritet të përfundojë më 26 prill 2025. Kjo njësi është jashtë funksionit sipas planifikimeve të parapara në bilancin energjetik vjetor.

Ndërkohë, çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet për 15 për qind, dhe një nga arsyet kryesore të përmendura nga autoritetet është pikërisht importi i madh i energjisë, si pasojë e mungesës së prodhimit të brendshëm. /Demokracia.com/

ZRRE vendos nesër për tarifat e reja të rrymës, protestë qytetare kundër shtrenjtimit

Të ngjashme