Lajme
DnV vlerëson zgjedhjet si demokratike dhe të lira
Demokracia
15:24 | 16 Shkurt 2021

Share:

Demokracia në Veprim, organizatë kjo e cila monitoron zgjedhjet në Republikën e Kosovës, ka paraqitur vlerësimin për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme, që u mbajtën më 14 shkurt.

Eugen cakolli nga kjo organizatë tha se DnV vlerëson se zgjedhjet e parakohshme janë organizuar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta. Ai po ashtu tha se dita e zgjedhjeve ka kaluar me disa parregullsi të trashëguara nga proceset e kaluara zgjedhore, shkruan Demokracia.com

“DnV vlerëson se zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit janë organizuar dhe janë zhvilluar në përputhje me të gjitha standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta. Dita e zgjedhjeve përkatësisht procesi i votimit dhe ai i numërimit, janë zhvilluar  qetë të rregullta dhe pa ndonjë parregullsi serioze që do të mund të ndikonte në integritetin e procesit zgjedhor.

Dita e zgjedhjeve është shoqëriar me disa parregullsi të zakonshme, të cilat kanë qenë raste të izoluara, mirëpo që janë duke u trashëguar nga procesi zgjedhor në tjetrin. Publikimi i rezultateve preliminare dhe daljes në zgjedhje, brenda një periudhe të shkurtër kohore nga ana e KQZ-së, ka bërë që të ketë një rritje të transparencës dhe të besueshmërisë së publikut në procesin zgjedhor në tërësi”, tha Cakolli.

Cakolli tha se ajo që vlen të përmendet është se qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar një kulturë të lartë demokratike duke dalë në masë të madhe në zgjedhjeve, përkundër kushteve atmosferike dhe shëndetësore me pandeminë Covid-19. Po ashtu e vlerësuar nga kjo organizatë u pa edhe pranimi i menjëhershëm i rezultateve nga partitë politike.

“Vlen të përmendet që qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar një kulturë të lartë demokratike, duke dalë në masë të konsiderueshme në zgjedhje, përkundër motit të keq si dhe situatës së ndjeshme me pandeminë. Në anën tjetër subjektet politike garuese përmes pranimit dhe respektimit të vullnetit qytetar menjëherë pas publikimit të rezultateve kanë kontribuuar në avancimin e mëtutjeshëm të këtyre vlerave demokratike të zgjedhjeve, mirëpo edhe besimi qytetar në rezultate të tilla”, deklaroi Cakolli.

Si fenomen që DnV e konsideron se është i vërejtshëm është se nga radhët e partive joshumicë, ato boshnjake dhe rome hudhet një dyshim me votat e tyre të koncentruara në partitë serbe.

“Ajo çfarë bie në sy si fenomen në këto zgjedhje është që bazuar në rezultatet preliminare, deri tani, humbja e disa subjekteve politike tradiocionale nga radhët e komunikteteve joshumicë, veçanarisht nga radhët e komunitetit boshnjak dhe atij rom hedh një lloj hije dyshimi sa i përket reflektimit të vullnetit qytetar në mënyrë të drejtë.

Tek subjektet  e reja fituese vërehet një elektorat i koncentruar dhe një numër i pazakontë i votave të fituara në zonat e banuara me shumicë serbe, sidomos në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe atë të Graçanicës, ku përgjithësisht ndonëse nuk ka koncentrim dhe përqendrim demografik të komunitetit boshnjak dhe atij rom, dy subjektet politike, pra iniciativa e zonjës Adriana Hoxhiq dhe subjekti politik roman Iniciativa, kanë fituar një numër të konsiderueshëm të votave, që është në shpërputhje me koncentrimin demografik të këtij komuniteti në ato zona”, pohoi Cakolli.

Demokracia në Veprim vlerëson se trupat menaxhues të zgjedhjeve ka qenë transparente, ndërsa sekretariati i KQZ-së është treguar bashkëpunues me organizatat e shoqërisë civile. Cakolli po ashtu thekson se edhe përplasjet në mes anëtarëve të KQZ-së nuk kanë munguar dhe se puna dhe pavarësia e këtij institucioni është cenuar në disa raste.

“Sa i përket trupave menaxhuese të zgjedhjeve, me fokus të veçantë në KQZ, ne si DnV vlerësojmë se puna  e tyre ka qenë kryesisht transparente, ndërsa sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është treguar bashkëpunues me organizatat e shoqërisë civile. Truçat menaxhuese të zgjedhjeve kanë njoftuar pothuajse në të gjitha rastet, mbajtjen e mbledhjeve, por sidoqoftë edhe në këtë drejtim problem mbetet fakti që materialet, përkatësisht dokumentet dhe vendimet e miratuara gjatë mbledhjeve të KQZ-së nuk janë publikuar me kohë në faqen e KQZ-së, e madje disa prej tyre nuk janë të publikuara as deri në momentin të cilin po flasim.  Përgjatë tërë periudhës së zgjedhjeve që nga shpallja  e tyre, janë shënuar përplasje të shumta në mes të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e në veçanti në mes të anëtarëve të LVV-së dhe kryetares së KQZ-së, përkatësisht anëtarëve të tjerë të KQZ-së mes tyre. Kjo ka ndikuar që një numër i madh i mbledhjeve të KQZ-së, ndryshe prej praktikës së deritanishme, të mbyllen para kohe, apo edhe të shtyhen për periudha të gjata kohore.

Puna dhe pavarësia e KQZ-së vlerësojmë se janë cenuar në disa raste, nga ndërhyrjet e jashtme e posaqërisht në rastin e deklaratës publike të u.d të Presidentit të vendit, e cila në një formë kishe cenuar pavarësinë e punës së KQZ-së.

Në anën tjetër kryetarja e KQZ-së vlerësojmë se ka qenë target i sulmeve të shumta nga subjektet politike, mirëpo edhe nga palë të tjera dhe qytetarë të shumtë, ndonëse që sipas vlerësimit tonë, në mënyrë të padrejtë”, tha Cakolli nga DnV.

DnV thekson se KQZ-ja, përkundër afateve të shkurtëra kohore ka arritur që t’i përmbyllë të gjitha aktivitetet zgjedhore, përveç votimit nga jashtë vendi dhe votat me kusht.

“KQZ-ja përkundër afateve të shkurtëra kohore ka arritur që të përmbyllë të gjitha aktivitetet zgjedhore, me përjashtim të operacionit të votimit jasht vendit, i cili nuk është përmbyllur në tërësi, për shkak të vonesave dhe numrit jashtëzakonisht të madh të qytetarëve të interesuar për të votuar.

Ndonëse KQZ gjatë periudhës përgatitore, kishte marrë vendim që me dokumente me afat të skaduar të mos lejohen të votojnë, me anë të një vendimi krejtësisht të pazakontë në mes të ditës së zgjedhjeve kishe ndryshuar këtë vendim, duke i lejuar qytetarët që të identifikohen me dokumente me afat të skaduar. Kjo ka krijuar në radhë të parë konfuzion te qytetarët dhe ka diskriminuar një pjesë të madhe të qytetarëve, të cilët në pjesën e parë të ditës nuk janë lejuar që të votojnë me këto dokumente”, shtoi Cakolli.

DnV vuri theks edhe te përfaqësimi i grave në procesin zgjedhor dhe menaxhimin e zgjedhjeve, për të cilin shtoi se ky përfaqësim ka qenë në kundërshtim me ligjin për barazi gjinore.

“Përfaqësimi i grave në trupat për organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve vazhdon të mbetet në nivele relativisht të ulëta dhe subjektet politike ende nuk janë duke zbatuar zotimet e tyre të vitit 2015, për përfaqësim të barabartë, të paktën në shkallën prej 40 përqind të grave në trupat menaxhuese të zgjedhjeve, thotë Cakolli.

DnV shtoi se procesi i certifikimi të kandidatëve është shoqëruar me përplasje dhe probleme të shumta, si shkak i keqinterpretimeve të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Procesi i certifikimit të kandidatëve të subjekteve politike është shoqëruar me përplasje dhe probleme të shumta, kryesisht si rezultat i interpretimit të dyanshëm dhe të ndryshëm të aktgjykimit të
Gjykatës Kushtetuese, lidhur me përshtatshmërinë juridike të kandidatëve që tentojnë të certifikohen.

Lidhur me këtë proces janë parashtruar ankesa të shumta nga radhët e subjekteve politike, por që të njejtat jo vetëm që kanë arritur të zgjidhin këtë çështje, por edhe kanë ndikuar në rritje të mëtutjeshme të tensionit politik”, tha Cakolli.

DnV deklaron se operacioni i votimit jasht vendit mbetet prej problemeve kryesore dhe hallka më e ndjeshme e procesit zgjedhor

“Për të garuar në zgjedhje gjithsej janë certifikuar 28 subjekte politike, me fillimisht 1mijë e 81 kandidatë. Sidoqoftë si rezultat i vendimeve të KQZ-së, PZAP-së e pastaj edhe Gjykatës Supreme, ky numër kishte rënë në 1 mijë e 52 kandidatë, prej të cilëve vetëm 34 përqind apo 359 kandidate kanë qenë gra.

Operacioni i votimit jasht vendit vazhdon të mbetet një prej problemeve kryesore dhe hallkave më të ndjeshme të procesit zgjedhor, ndonëse në këto zgjedhje vlen të theksohet që kemi një rritje të jashtëzakonshme të votuesve, të cilët kanë shprehur interesim për t’u regjistruar si votues jasht vendit.

KQZ-ja ka konfirmuar 100 mijë aplikacione nga gjithsej 130 mijë sosh, të cilat janë pranuar nga ta. Ndërsa deri 24 orë para ditës së zgjedhjeve, kur është edhe afati për panimin e tyre, në fahun postar të KQZ-së kanë arritur 43 mijë e 477 pako me fletëvotime të supozuara. Sidoqoftë ky numër nuk nënkupton se kemi një numër të tillë edhe të aplikacioneve, përkatësisht të votave, meqenëse rregullativat në fuqi lejojnë që familjarë të njejtë të mund të fusin më shumë se një fletëvotim brenda zarfit të njejtë”, shtoi Cakolli.

DnV, fushatën zgjedhore e cilësoi si dinamike dhe elektrizuese në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

“Po ashtu vlen të përmendet që fushata zgjedhore është paraprirë nga një parafushatë intensive, e cila përveçse në terren është zhvilluar edhe në media dhe ka filluar që nga dita e publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila edhe e rrëzoi qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Fushata zgjedhore ishte një fushatë dinamike dhe elektrizuese në raport me krahasimin me zgjedhjet e kaluara, sidomos nëse merret parasysh situata me pandeminë dhe kufizimet e ndjeshme, të cilat kanë qenë në fuqi.

Ajo çka është evidentuar nga vëzhguesit e DnV-së është që shumica e aktiviteteve të mbajtura nga subjektet politike, sidomos në shtatë qendrat më të mëdha në Kosovë, nuk kanë qenë të paralajmëruara brenda afatit 24 orësh në Komisionet komunale zgjedhore. Madje përplasjet politike komunale, të cilat kanë qenë evidente nga legjislatura e kaluar, janë reflektuar edhe me shënimin e incidenteve kryesisht në mes të përkrahësve të LVV-së dhe PDK-së.

Në shumicën e aktiviteteve të subjekteve politike është vërejtur një shkallë e lartë e mosrespektimit të masave kundër Covid-19, ndërsa institucionet qëndrore kanë qëndruar të heshtura dhe kanë mbyllur sytë karshi këtyre shkeljeve”, pohoi Cakolli nga kjo organizatë.

Demokracia në Veprim nuk la pa përmendur edhe gjobat e partive politike, nga Inspektorati i Komunës së Prshtinës dhe ai i Prizrenit, duke vënë theksin se në komunat ku partitë politike udhëheqin në nivel lokal nuk ka pasur dënime të partive, për aktivitetet e tyre, të cilat kanë qenë në kundërshtim me ligjin anti-Covid.

“Në nivelin lokal, me përjashtim të komunës së Prishtinës dhe një rast në komunën e Prizrenit, Inspektoratet tjera komunale nuk kanë shqiptuar gjoba, kryesisht edhe për shkak të faktit që aktivitetet e subjekteve politike kanë qenë të organizuara në zona, ku këto parti kontrollojnë pushtetin e nivelit lokal.

Aktivitetet e organizuara nga subjektet politike kanë qenë kryesisht grumbullime publike dhe vizita derë më derë. Një lloj i ri karakteristik i të bërit fushatë në këto zgjedhje është organizimi i ecjeve nëpër sheshe si dhe në hapësira publike në qytete që më parë ka qenë lloji i të bërit fushatë me përqindjen më të ulët.

Sa i përket komunave me shumicë serbe, fushata zgjedhore ka qenë gati se e pavërejtshme dhe e limituar kryesisht në vendosje të materialeve promovuese të Listës Serbe, e cila edhe në këto zgjedhje ka dominuar fushatën në këto zona.

Incidenti kryesor që ka ndodhur në komunën veriore të vendit është ai gjatë vizitës së u.d të Presidentit si dhe kandidatit për kryeministër nga LVV-ja, kur këta të fundit ishin penguar në zhvillimin e aktivitetetit të tyre të fushatës”, shtoi Cakolli.

DnV foli edhe për frymën e fushatës, e cila ishte konkuruese, përfaqësimin e grave në fushatë, përdorimin e resurseve publike, monitorimit të mediave gjatë fushatës, fletëvotimet e pavlefshme dhe aktivitetet e vëzhguesve të kësaj organizate në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

”Fryma e fushatës ka qenë përgjithësisht konkuruese dhe ka bërë që qytetarët të mund të marrin informacione për platformat politike të subjekteve politike, ndonëse jo në masën sa do duhej.

Kryesisht gjatë takimeve të subjekteve politike, të njejtit janë limituar në lëshimin në akuza dhe në fyerje në disa raste në oponentët e tyre politikë, ndërsa janë evidentuar edhe raste të përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Subjektet politike në masë të madhe, me disa përjashtime, janë vonuar në publikimin e platformave të tyre politike dhe në fakt platformat nga subjektet politike janë publikuar vetëm në ditët e fundit të fushatës.

Qasja e barabartë e grave në të bërit fushatë ka qenë edhe në këto zgjedhje në kundërshtim me ligjin për barazi gjinore, meqenëse subjektet politike nuk u kanë ofruar mundësi të pabarabartë, por edhe në përmasa margjinale, pre 30 përqind të grave të subjekteve të tyre.

Përdorimi i resurseve publike, përfshirë ato materiale dhe njerëzore, sidomos nga subjektet politike në  pushtet, ka vijuar që si fenomen të shoqërojë aktivitetet e subjekteve politike.

Subjektet politike po ashtu nuk kanë treguar transparencë sa i përket financave dhe shpenzimeve të tyre në fushatë, përkundër faktit që DnV u ka dërguar letra të gjitha subjekteve politike, në fakt dhge vetëm tre prej tyre u janë përgjigjur pozitivisht ftesave tona.

Sa i përket monitorimit të mediave është vërejtur që  është ofruar hapësirë përgjithësisht e barabartë për subjektet e mëdha, ndërsa subjektet e vogla politike kanë pasur hapësirë të reduktuar në kronikat zgjedhore të mediumeve në vend. Gjetjet tregojnë se mbulueshmërinë më të madhe në radhët e televizioneve tona e ka pasur LDK-ja, ndërsa në kuadër të partive shqiptare, PDK është partia që ka pasur më së paku mbulueshmëri në kronika zgjedhore.

Sa i përket çështjeve të fletëvotimeve të pavlefshme, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, vërehet një përmirsim i lehtë sa i përket kësaj çështjeje, meqenëse deri më tani janë raportuar vetëm rreth 25 mijë vota të pavlefshme, apo rreth 3 përqind e numrit të përgjithshëm të votave, të cilat janë dhënë nga qytetarët.

Sa i përket punëve nga insitucionet gjyqësore që ndërlidhen me zgjedhjet, vlerësojmë se PZAP-ja ka vepruar me profesionalizëm dhe në afate optimale kohore, duke trajtuar në mënyrë të paanshme të gjitha ankesat dhe apelet që i janë dorëzuar  asaj.

Përgjithësisht njësoj ka vepruar edhe Gjykata Supreme, me përjashtim të rastit të certifikimit të kandidatëvem, kur ne si DnV, vlerësojmë që Gjykata Supreme është dashur që të obligojë subjektet politike të rirendisin kandidatët e tyre.

Tanimë kur është duke u proceduar numërimi i votave me kusht dhe votave të diasporës në QNR, ne iu bëjmë thirrje zyrtarëve përkatës në QNR, që ky proces të përmbyllet brenda një afati sa më optimal kohor, në mënyrë që t’i hapet rrugë edhe shpalljes së rezultateve përfundimtare, përkatësisht certifikimit të tyre.

DnV do të vazhdojë të mbulojë edhe procesin e numërimit në QNR, me vëzhgues të saj, ndërsa raporti përfundimtar i zgjedhjeve do të publikohet posa të përmbyllet procesi i certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”, përfundoi Cakolli./Demokracia

Të ngjashme