Koalicioni i organizatave për monitorimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV) në një konferencë për media ka treguar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Sipas Eugen Cakollit nga DnV, dalje e madhe e votuesve është vërejtur në zonat me shumicë serbe, ndërsa në pjesë të tjera të Kosovës trendi është i njëjtë me zgjedhjet e kaluara, raporton Demokracia.com.
“Në bazë të raportimi të vëzhguesve tanë të cilat jemi duke i mbledhur nga terreni flasin për një proces të votimit i cili deri me tani pra që nga hapja është karakterizuar me një dalje të madhe të votuesve në zonat me shumicë serbe, përderisa sa në pjesën tjetër të Kosovës kemi një trend përafërsisht të njëjtë edhe me zgjedhjet e kaluara të vitit 2019”, tha Cakolli
Sipas DnV-së, deri më tani në 21 për qind të vendvotimeve është raportuar për zbatim të pjesshëm të masave anti-COVID. Edhe pse KQZ ka larguar nga lista një numër të madh të votuesve me dokumente që nuk janë të Republikës së Kosovës, DnV raporton se sërish ka pasur raste kur është tentuar të votohet me dokumente jo valide.
“Procesi i votimit deri me tani është i qetë me disa parregullsi të izoluara të cilat kanë ndodhë në një numër të vendvotimit. Sa i përket masave të kundër përhapjes së pandemisë deri me tani 21 për qind të vendvotimeve është raportuar për zbatimin e pjesshëm të masave për parandalimin e pandemisë COVID-19, ndërsa në një për qind e vendvotimeve është raportuar për mos respektim të këtyre masave në tersi”, tha Cakolli.
Cakolli tha se cenimi i fshehtësisë se votës është shfaqur edhe në këto zgjedhje, siç janë rastet me fotografim e publikim të votës, gjithashtu parregullsi ka pasur edhe në asistimin e votuesve.
“Deri në orën 10 janë 64 për qind të vendvotimeve të cilat kanë pasur deri në 10 raste ku votuesit janë asistuar dhe janë regjistruar në librat përkatës të vendvotimeve. Janë edhe 5 për qind të vendvotimeve sërish deri në 10 raste ku votuesit me asistencë nuk janë të regjistruara në librat e vend votimeve duke shkelur kështu edhe përcaktimin ligjor lidhur me këtë çështje. Deri në ora 10 janë raportuar 1 deri në 4 raste në 2 për qind në nivel vendi për fotografim të votës”, tha Cakolli
DnV iu bënë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votimit dhe të dalin të votojnë./Demokracia.com