Diaspora
DnV: Qeveria të rishqyrtojë masat anti-Covid, mund të diskriminohen votuesit nga diaspora
Demokracia
20:56 | 11 Shkurt 2021

Share:

Demokracia në Veprim ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Qeverisë për lehtësimin e masave anti-Covid, duke thënë se mund të diskriminohen votuesit nga diaspora.

DnV përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj masave të reja, sipas të cilave secili person që hyn në Kosovë nga një shtet tjetër, duhet ta paraqes testin negative RT-PCR të bërë më së largu nga 72 orë, përcjell Demokracia.com.

“DnV kërkon nga Qeveria që të rishqyrtojë të gjitha masat e reja anti-Covid të cilat janë gjithashtu në kundërshtim edhe me rekomandimet e ekspertëve të fushës.”, thuhet tutje në njoftim.

Komunikata e plotë:

DnV shpreh shqetësim për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e masave anti-Covid në një kohë kur numri i personave të infektuar me Covid-19 është në rritje të vazhdueshme dhe kur masat parandaluese paraprake janë shkelur në pothuajse të gjitha aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike.

Për më tepër, vendimi i Qeverisë është kontradiktor me vendosjen e masave të reja ndaj qytetarëve të Kosovës, (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), të cilët gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin testin negativ RT-PCR të bërë më së largu 72 orë ose në të kundërt të vetizolohen për 7 ditë.

Nga një anë ka lehtësim masash ndërsa në anën tjetër të njëjtat bëhen me strikte duke diskriminuar qytetarët e Kosovës që vijnë nga jashtë. Duke e ditur që shumë qytetarë me të drejtë vote janë nisur drejt Kosovës, kjo masë e re e Qeverisë e paralajmëruar me vonesë, mund të cënojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve të Kosovës për të votuar.

DnV kërkon nga Qeveria që të rishqyrtojë të gjitha masat e reja anti-Covid të cilat janë gjithashtu në kundërshtim edhe me rekomandimet e ekspertëve të fushës./Demokracia.com/

Të ngjashme