Demokracia në Veprim ka shpalosur parregullsitë që janë hasur qysh në orët e para të hapjeve të kutive të vendvotimeve.
Rrejti i organizatave joqeveritare për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme të parlamentare, Demokracia në Veprim (DnV), përmes një konference për medie ka paraqitur parregullsitë që kanë hasur monitoruesit e tyre nëpër qendra të ndryshme të vendvotimeve.
Ismet Kryeziu nga DnV-ja, ka bërë të ditur se jo të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, e si parregullsi kryesore ata kanë hasur mosrespektimin e masave anti-COVID, qasja e vështirësuar për personat me nevoja të veçanta si dhe po ashtu partitë politike janë duke shkelur Ligjin për Zgjedhje, raporton Demokracia.com.
Sipas Kryeziut, disa parti janë duke shpërndarë materiale propagandues në afërsi prej 100 metra nga vendvotimet, ku edhe iu ka bërë thirrje partive politike dhe komisionerëve që të reflektojnë.
“Janë gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime të cilat, 97 për qind janë hapur me kohë ndërkaq 3 për qind janë hapur pas orës 07:15. 3 për qind janë hapur pas orës 07:15, kemi pasur vonesa të materialeve, mungesa të fletëvotimeve me kusht, vula, sprej. Dhe kjo ka bërë që këto tre për qind të vendvotimeve të hapen me vonesë. Prania e materialit propagandues, nga të gjitha vëzhgimeve që kemi bërë është prenzente në 1 për qind. I bëjmë thirrje partive politike që të mos e përdorin këtë material propagandues, ose të mos jenë afër 100 metrave afër qendrës së vendvotimit. Masat anti-COVID nuk janë duke u bazuar mjaftueshëm. 97 për qind e komisionerëve janë të pajisur me maska, 59 për qind janë të pajisur me maska. Ju bëjmë thirrje qytetarëve dhe komisionerëve që të përdorin maska e dorëza”, ka thënë Kryeziu, raporton më tutje Demorkacia.com.
Ai po ashtu kërkoi nga qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, pavarësisht temperaturave të ulëta.
“Ju bëjmë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese e të dalin të votojnë, pavarësisht se temperaturat janë të ulëta. Më mirë 4 minuta ftohtë e për të votuar, se sa 4 vjet për t’u ankuar”, theksoi Kryeziu. /Demorkacia.com/