Lajme
DnV: E pakuptimtë që në këto rrethana aktuale të insistohet mbajtja e zgjedhjeve në veri
Demokracia
17:17 | 07 Dhjetor 2022

Share:

Koalicioni i Organizatave jo Qeveritare, Demokracia në Veprim, ka thënë se në këtë situatë aktuale është e pakuptimtë të insistohet në mbajtjen e zgjedhjeve. Në komunikatë theksohet se KQZ e ka të pamundur të organizojë zgjedhje normale dhe të sigurohet personeli.

𝐃𝐧𝐕: 𝐄 𝐩𝐚𝐤𝐮𝐩𝐭𝐢𝐦𝐭𝐞̈ 𝐪𝐞̈ 𝐧𝐞̈ 𝐫𝐫𝐞𝐭𝐡𝐚𝐧𝐚𝐭 𝐚𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐢𝐧𝐬𝐢𝐬𝐭𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐦𝐛𝐚𝐣𝐭𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐳𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐞𝐯𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐤𝐚𝐭𝐞̈𝐫 𝐤𝐨𝐦𝐮𝐧𝐚𝐭 𝐯𝐞𝐫𝐢𝐨𝐫𝐞

“Që nga shpallja e datës së zgjedhjeve në katër komunat veriore nga Presidentja e vendit – si rezultat i dorëheqjeve të kryetarëve të komunave në veri të Kosovës – procesi i organizimit të këtyre zgjedhjeve është përcjellë me probleme të shumta.
Procesi është përcjellë nga bojkotim i garës zgjedhore nga kandidatët e komunitetit serb, që në fakt përbën shumicën absolute të popullsisë në këto komuna. Dorëheqjet e zyrtarëve përkatës zgjedhor të këtyre komunave e kanë vështirësuar organizimin adekuat të këtyre zgjedhjeve. Ndërsa, rastet e djeshme të incidenteve dhe dhunës në atë pjesë kanë pamundësuar vazhdimin e përgatitjeve për administrimin e procesit zgjedhor.
DnV rikujton që ndër parimet kryesore të zgjedhjeve është ‘votimi i lirë’. Zhvillimi i të gjitha procedurave nën forca të shumta të sigurisë, si dhe nën kërcënim direkt të jetës së zyrtarëve zgjedhor, por edhe qytetarëve dhe kandidatëve, bie ndesh me këtë parim. Kësisoj, është e qartë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pothuajse të pamundur që të realizojë operacionet përkatëse zgjedhore për mbajtjen e rregullt dhe normale të këtyre zgjedhjeve. Madje, KQZ-ja e ka pasur të pamundur që një gjë të tillë t’a bëjë edhe me asistencën e Policisë. Bazuar në këtë situatë, është vështirë e besueshme që do të mund të garantohet siguri në këto komuna për qindra persona të angazhuar si staf zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, si dhe mijëra qytetarë me të drejtë vote. Për më tepër, probleme mund të ketë edhe me hapjen e vet qendrave të votimit.
Në rrethanat aktuale të mungesës së sigurisë për stafin zgjedhor, mungesën e kandidatëve të komunitetit serb në garë, si dhe gjasave të pakta për pjesëmarrje të qytetarëve në zgjedhje, DnV kërkon nga Presidentja e vendit që të iniciojë konsultimet me akterët relevantë për të shtyrë zgjedhjet në katër komunat veriore”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme