OpEd
Dje fitoi Shqipëria evropiane
Demokracia
16:03 | 12 Maj 2025

Share:

NGA FATOS ÇOÇOLI 

Pavarësisht nga partia fituese në zgjedhjet e djeshme, në tërësi, qetësia dhe qytetaria me të cilën mbi 1.4 milionë prej nesh shkuan në kutitë e votimit dhe shprehën vullnetin e tyre janë vlera tërësisht evropiane dhe të demokracive të konsoliduara. Me këtë qetësi, rregull dhe qytetari, ne dje votuam për të ardhmen tonë, pavarësisht kujt partie ia dhamë votën. Dhe e ardhmja jonë është vend anëtar i Bashkimit Evropian. Dhe cilësdo partie t’ia kemi dhënë votën, asaj fituese do i kërkojmë me forcë të na sjellë me shpejtësi sa më afër Brukselit në këto katër vitet e ardhshme. Brukseli, kryeqyteti i Belgjikës, është edhe qendra e qeverisë së Bashkimit Evropian, që quhet Komisioni Evropian. Janë me dhjetëra mijëra familjet shqiptare mes nesh, fëmijët e të cilëve studiojnë në universitetet e vendeve të Bashkimit Evropian. Këto familje e dinë se me një pasaportë të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian, fëmijët e tyre do të kishin dhjetë herë më shumë shanse të punësoheshin në Bashkimin Evropian, pas mbarimit të studimeve universitare në këto vende. Jo vetëm shkollimi, por edhe ndërtimi i jetës në një vend të Evropës Perëndimore vijon ende të jetë ëndrra më e frymëzuar e prindërve, por edhe e fëmijëve tanë.

Dhe një tregues i rëndësishëm për rritjen e imazhit dhe rëndësisë së vendit tonë përballë strukturave vendimmarrëse kryesore të Bashkimit Evropian, është numri i takimeve të nivelit më të lartë që janë zhvilluar në Tiranë. Për vitet 2005-2018 nuk kemi pasur ndonjë. Dhe kjo ishte e kuptueshme. Shqipëria, edhe pse shtetfaktor qëndrueshmërie e paqeje në Ballkanin Perëndimor në vijueshmëri, ishte tepër e vogël dhe periferike. Më vonë diçka nisi të ndryshonte për mirë. Në tri vitet e fundit, në Tiranë janë zhvilluar katër samite (takime të nivelit më të lartë) të strukturave drejtuese të Bashkimit Evropian, shumica e të cilave ndodhet në Bruksel. Për krahasim, në Shkup, samite të tilla në vitet 2023-2025 është zhvilluar vetëm një dhe në Podgoricë asnjë. Më datën 16 maj 2025, në Tiranë do të zhvillohet Samiti i Komunitetit Politik Europian, ku pritet të marrin pjesë 50 drejtues shtetesh nga vendet e Bashkimit Europian dhe të vendeve kandidate dhe shpresuese për anëtarësim në BE.

Më 16 tetor 2023, u realizua Samiti i Procesit të Berlinit. Më 28 shkurt 2024 Samiti Ukrainë-Evropë Juglindore dhe më 29 shkurt 2024 Samiti BE-Ballkani Perëndimor po në Tiranë. Brenda 135 ditëve, 16 tetor 2023-29 shkurt 2024, në Tiranë janë mbajtur tri samite të rëndësishme, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në kryeqendrën e zhvillimeve diplomatike të kontinentit. Dikur, të pamësuar me takime të një niveli ndërkombëtar, tashmë ato kanë krijuar ndjesinë se mbajtja e tyre në Tiranë është bërë diçka e zakonshme. Ato kanë bërë që faktorizimi i Shqipërisë të ngrihet në një shkallë më të lartë dhe kontributi i saj si një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për BE të jetë jo dhe aq modest. Nuk kishte parë më parë Shqipëria drejtuesit e Evropës së bashku të qëndronin në Tiranë siç ndodhi më 16 tetor 2023. Për fat të keq, e vetmja statistikë e hidhur për vendin tonë e këtyre viteve të fundit në përparimin në BE-së është se pas bojkotimit të mandateve në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2019, opozita jonë kryesore është thirrur zero herë nga zyrtarët e lartë në Bruksel, në krahasim me 7 herë thirrje dhe takime të opozitës kryesore në Maqedoninë e Veriut dhe katër herë në Malin e Zi, brenda të njëjtës periudhë.

Po çfarë fituam nga katër samitet e deritanishme të Bashkimit Evropian në Tiranë? Së pari, fonde shumë të rëndësishme për ne. Në tri vite 2025-2027, samitet na ndihmuan të sigurojmë 922 milionë euro për zhvillimin tonë. Së dyti, me Brukselin më afër, vendi ynë është konfirmuar jo vetëm një aleat dhe partner i besueshëm për Perëndimin, por edhe një faktor i rëndësishëm paqeje në rajonin e trazuar të Ballkanit. Së treti, Shqipëria fitoi statusin e një vendi që është jo thjesht një partner i sigurt i SHBA dhe BE. Por një qendër që nëpërmjet samiteve të mbajtur, vendet e Ballkanit kanë treguar solidaritet veçanërisht për mbështetjen ndaj Ukrainës kundër Rusisë.

Shqipëria tashmë ka marrë statusin e vendit që shërben si kundërpeshë ndaj çdo përpjekjeje proruse në këtë rajon. Së katërti, Shqipëria fitoi të jetë pjesë e një projekti të madh të zhvillimit të rajonit të Ballkanit në vitet 2025-2027 dhe jo vetëm nga paketa e 6 miliardë Eurove që jep BE për këtë rajon, por edhe nga 30 miliardë euro të tjera, mbi bazën e reformave që do të ndërmerren. Me votën tonë dje, ne treguam se mund të mbërrijmë shpejt t’i marrim BE-së edhe 1 miliard euro në vit, duke ditur të zgjedhim forcën e duhur politike, e cila na çon drejt kryerjes me sukses dhe në kohë të investimeve dhe reformave tona për në Bashkimin Evropian.

Të ngjashme
OpEd • 12 Maj 2025