Intervista
Djali i ish-presidentit Thaçi flet për luftën, pavarësinë dhe ditën kur babai iu nis për në Hagë
Demokracia
20:09 | 17 Shkurt 2023

Share:

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, në një intervistë ekskluzive për gazetarin Berat Buzhala, ka rrëfyer shumë momente të jetës së tij, dhe gjëra të paditura deri më tash. Në intervistën e parë për mediat në gjuhën shqipe, Endriti flet për familjarët e vdekur në luftë, shpalljen e pavarësisë, gjyshërit e tij e përshëndetjen me babain. Çka tha ai?

Endrit Thaçi në një intervistë dhënë për 15 vjetorin e pavarësisë, ka zbuluar shumë gjëra. Ai Buzhalës fillimisht i ka rrëfyer se ka lindur në Zvicër, pasi nëna e tij ishte refugjate.

“Po atëherë ka qenë lufta duke u zhvilluar në Kosovë, unë kam lind në Zvicër, nëna ka shku në Zvicër si refugjate, si mijëra shqiptarë. Ka qenë e vetmuar atje, babi ka qenë në Kosovë në fushëbetejë, duke luftuar për Kosovën me shokët e tij.” – ka thënë ai.

Tutje, Endrit Thaçi në këtë intervistë ekskluzive, ka thënë se gjatë luftës ka pasur momente të vështira, derisa ka folur edhe për familjarët që kanë vdekur gjatë asaj periudhe.

“Kanë qenë disa momente të vështira për familjen tonë, sidomos për nënën, sepse ditën kur kam lindur unë, nënës i ka vdekur nëna. Pas disa javësh, në masakrën e Studimes, atëherë i ka vdekur edhe vëllai edhe djali i vëllait.” – ka thënë ai.

Një detaj shumë interesant i zbuluar nga Endrit Thaçi, është ai se ish-presidenti e kishte takuar kur ky ishte foshnje gjashtë muajshe, kur edhe ishin kthyer në Kosovë.

“Jam kthyer kur i kam pasur gjashtë muaj. Ka qenë takimi i parë me babain. Në masakër nënës ia kanë vra vëllain dhe djalin e vëllait.” – ka thënë ai.

Më pas, ai ka treguar se u kthyen në Kosovë, derisa tha: “Prindërit kanë dashtë të jetojnë në Kosovë dhe ta vazhdojnë aktivitetin në Kosovë”.

Pyetur nga gazetari Buzhala se a do ta bënte të njëjtën gjë si babai i tij, Endrit Thaçi pa hezitim u përgjigj duke thënë se “natyrisht që po”.

“Natyrisht po. Është privilegj. Kushdo që merr hapin për të bërë diçka për atdheun, duhet të ndihet krenar.” – tha ai.

Endriti ka folur edhe për jetën e tij private, duke treguar se nuk është në lidhje. Ndërkohë, ka treguar se ka përfunduar studimet për ekonomi, në një prej universiteteve private në Kosovë.

Mes tjerash, ai ka folur edhe për ditën kur u shpall pavarësia, duke veçuar momentin kur babai i tij ia prezantoi flamurin e Kosovës.

Endrit Thaçi tutje e ka veçuar edhe një moment, kur ish-kryeministri ia prezantoi flamurin e Kosovës.

“E mbaj mend kur kemi shku në koncert që ka ndodhur për ditën e pavarësisë, fishekzjarret, e mbaj mend kur babi ma ka prezantu flamurin e Kosovës. Tetë vjeçar. Po shumë (më ka pëlqyer flamuri). Ka qenë e jashtëzakonshme, një moment i mirë, momente që kurr nuk do t’i harrojë.” – ka thënë ai.

Familja e viziton Thaçin deri në tre herë në muaj, derisa Endriti i tha Nacionales se flasin çdo ditë në telefon.

“Në shtëpi është komplet ndryshe nga aspekti politik, është si baballarët e tjerë, përkushtohet ndaj familjes, ndaj prindërve të tij, dalim për të bërë ecje, bëjmë sport bashkë. Unë jam tifoz i Real Madritit, ai me Barcelonën.” – tha ai kur u pyet se si është babai i tij, jashtë jetës politike.

Për gjyshërit e tij, Endrit Thaçi thotë se mërziten më së shumti, por se janë shumë krenarë për të birin.

“Ata janë në moshë të shtyer, mërziten më së shumti prej nesh. Jam shumë krenar dhe unë jam sumë krenarë që të shkojnë të paktën një herë ta vizitojnë dhe të çmallen me babin. Por janë shumë krenarë, ata merziten më së shumti sepse iu ka munguar gjatë gjithë jetës, sepse në kohën e ilegales, në kohën e luftës, në kohën e politikës, edhe tash që është në burg, por babi gjithmonë është rikthy, do të kthehet edhe tash.” – ka thënë ai.

Në fund, Endrit Thaçi flet për një pjesë që u duk të jetë mjaft emocionale për të, momentin kur u përshëndet me ish-presidentin, kur ky u dërgua në paraburgim në Hagë.

“Nuk kisha dashtë me folë shumë për ditën e arrestimit, sepse është festa e pavarësisë dhe pa ushtarët e UÇK-së, të lirisë, nuk do të kishim as pavarësi.” – tha ai.

Megjithatë, djali i ish-presidentit ka rrëfyer se po atë ditë, Hashim Thaçi e ka përqafoi shumë dhe i tha se “ky ëshë çmimi i radhës që duhet paguar për liri e pavarësi”.

“Ditën e arrestimit, më ka përqafu shumë dhe më ka thënë se ky është vetëm një çmim i radhës që duhet ta paguajmë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.” – ka thënë ai.

Në fund, ai shtoi se babai i tij, ka vetëbesim të lartë se kjo do të përfundojë mirë.

“Është përshëndet me ne, është përqafuar me ne, ka qenë shumë i qetë, ka shkuar me buzëqeshje, ne kemi qenë të emocionuar, ai ka qenë shumë i fortë. Ka qenë me vetbesim të lartë, kjo do të përfundojë mirë. Drejtësia do të triumfojë në luftën e UÇK-së, siç ka triumfuar çdo herë.” – ka thënë Endrit Thaçi.

Të ngjashme