Lajme
Ditë të zeza për Kosovën, deficiti tregtar shkon në 450 milionë euro
Demokracia
21:27 | 25 Janar 2023

Share:

Deficiti tregtar i Kosovës është thelluar edhe më shumë. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar deficiti ka shkuar në “qiell”, duke prekur shifrën e 450 milionë eurove, nga 394.9 milionë sa ishte në dhjetorin e vitit 2021. Blerja e mallrave është rritur edhe nga Serbia për 1 milion euro.

Edhe muaji dhjetor i vitit 2022 ka qenë i zi për Kosovën.

Raportet tregtare mes eksportit të mallrave dhe importit janë thelluar edhe më shumë.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.8 për qind në muajin dhjetor 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 449.4 milionë euro krahasuar me deficitin prej 394.9 milionë eurosh në vitin 2021.

Eksporti ka mbuluar importin me vetëm 13.8 për qind, shkruan Demokracia.com

Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2022 kishte vlerën 72 milionë euro, ndërsa importi 521.5 milionë euro, që është një rritje prej 10.8 për qind për eksport dhe 13.4 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 217.2 milionë euro, ose 41.7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3.2%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.6%), Italia (5.4%), Greqia (3.9%), Sllovenia (3.8%), etj.”, thuhet në raport, përcjell Demokracia.com.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin dhjetor 2022 arritën në 92.7 milionë euro, ose 17.8 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 16.7 për qind.

Blerja e mallrave është rritur edhe nga Serbia për 1 milion euro. Nga 29 milionë sa ishte në nëntor, në muajin dhjetor ka shkuar në mbi 30 milionë.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia me 5.8 për qind, Shqipëria 5.5 për qind dhe Maqedonia e Veriut, 4.9 për qind.

“Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 211.5 milionë euro, ose 40.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (18.2%) dhe Kina (9.3%)”, raporton Demokracia.com.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.8 për qind e përbëjnë produktet minerale; 12.9 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.9 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.0 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 8.4 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6.2 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5.0 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre.

Krahas importeve të shumta, Kosova ka pasur edhe eksport të mallrave nëpër vende të ndryshme të botës.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 19.1 milionë euro, ose rreth 26.5% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 10.9%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (9.2%), Italia (4.5%), Holanda (3.2%), etj.”.

Në muajin dhjetor 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 29.6 milionë euro ose 41.2 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29.8 për qind.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Maqedonia e Veriut 16.6 për qind, Shqipëria 13.4 për qind, Serbia 5.4 për qind dhe Mali i Zi, 4.7 për qind.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 23.2 milionë euro ose 32.3 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden SHBA me 15.7 për qind dhe Zvicra me 8.2 për qind.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 20.2% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 16.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11.4% e përbëjnë produktet minerale; 9.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.5% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tekstili; 5.4% e përbëjnë makineria, pajisjet mekanike dhe elektrike”./Demokracia.com/

Të ngjashme