Lajme
Dita Ndërkombëtare në Mbështetje te Viktimave të Torturës, QKRMT bën thirrje që të respektohen të drejtat e tyre
Demokracia
10:57 | 26 Qershor 2024

Share:

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, ka bërë thirrje që kryerësit me çrregullime mendore të vendosen dhe trajtohen me dinjitet.

Në komunikatën për media thuhet se QKRMT këtë vit i ka kushtuar rëndësi të veçantë vendosjes dhe trajtimit të kryerësve me çrregullime mendore, për të cilët tha se numri i tyre është në rritje të vazhdueshme, ndërsa mungojnë institucionet përkatëse për trajtimin e tyre.

Si rezultat i kësaj, ata po mbahen në institucione korrektuese që është në kundërshtim me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare.

Tutje, QKRMT u bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë si dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që urgjentisht të ndërmarrin masa konkrete për krijimin e kushteve të përshtatshme për vendosjen dhe trajtimin e kryerësve me çrregullime mendore.

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, ku më 26 Qershor 1987 hyri fuqi Konventa e OKB-së Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese, si një nga instrumentet kryesore në luftën kundër torturës dhe parandalimin e saj.

Të ngjashme