Lajme
Dita e 11-të | Sveçla s’bënë asgjë për heqjen e barrikadave, e përshkruan gjendjen në rrjete sociale
Demokracia
19:16 | 20 Dhjetor 2022

Share:

Sot janë bërë 11 ditë prej barrikadimit të rrugëve në veri të Kosovës.

Edhe pas 11 ditësh, Qeveria e Kosovës dhe as KFOR-i nuk kanë ndërmarrë asgjë për largimin e tyre dhe zhbllokimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë mbetur të bllokuar, shkruan Demokracia.com.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, sot ka thënë se ish-kolegu i tij në Qeverinë Kurti, Goran Rakiq, në bashkëpunim me bandat kriminale të armatosura po i mirëmbajnë barrikadat, duke i bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë.

“E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”, ka shkruar Sveçla.

Ai është shprehur se Qeveria e Kosovës po bënë përpjekje maksimale bashkë me partnerët për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm, porse këto barrikada po vazhdojnë të shtohen vazhdimisht.

Sveçla ka thënë se bandat kriminale në veri po vazhdojnë të armatosen, përcjell Demokracia.com.

“Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena. Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njejtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim.”, u shpreh ai.

Sipas Sveçlës, Policia e Kosovës është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe në shërbim të ligjit që ju kërkon llogaridhënie shkelësve të tij.

Ndërkohë, pas përshkrimit të gjendjes në veri nga ministri që do të duhej të merrte vendim për heqjen e barrigadave, shumica e komenteve nga qytetarët kanë qenë që shteti të intervenojë dhe t’i largojë barrikadat. /Demokracia.com/

Të ngjashme