Lajme
Dita 46 | Albin Kurti vazhdon ta mbajë fshehur Statutin e Zajednicës, arsyetohet me konfidencialitetin e negociatave
Demokracia
09:07 | 05 Dhjetor 2023

Share:

Për 46 ditë, kryeministri Albin Kurti ka arritur që ta mbajë të fshehur draft-statutin për Zajednicën apo Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Me shumë gjasë do të kalojnë edhe shumë ditë, ndoshta edhe javë të tjera dhe nuk do të dihet përmbajtja e dokumentit zyrtar, shkruan Demokracia.com.

Deri më tani, ky dokument që në fillim përmban skandalin e madh, pasi i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është publikuar jo-zyrtarisht nga mediat e ndryshme, por që nuk është mohuar në asnjë rast përmbajtja e tij.

Për përmbajtjen e këtij dokumenti, por edhe për të rënë dakord lidhur me propozimin për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, e arritur në Bruksel më 27 shkurt 2023, kanë diskutuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në takime të ndara me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Mishel.

Kryeministri Kurti ka filluar procesin e themelimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas Nenit 7. Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

As Bashkimi Evropian nuk ka preferuar ta publikojë draftin të cilin ia dorëzuan kryeministrit të Kosovës, por kanë njoftuar se diskutimet për të janë duke vazhduar.

“Ne kurrë nuk i zbulojmë dokumentet zyrtare publikisht dhe as nuk marrim pjesë në shkëmbime publike për to, ndërkohë që ato diskutohen”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

https://demokracia.com/stano-per-draft-statutin-e-asociacionit-ne-kurre-nuk-i-zbulojme-dokumentet-zyrtare-publikisht/

Kryeministri Kurti po vazhdon ta mbajë të fshehur përmbajtjen e Statutit të Zajednicës, duke u fshehur pas konfidencialitetit të negociatave.

“Tash i përket ndërmjetësit [BE-së], i përket ndërmjetësit evropian që ta bëjë publik draftin dhe kjo është arsyeja pse unë nuk i bëj dot publike vërejtjet dhe kritikat e mia. Besoni që ka akterë të ndryshëm që mezi presin unë të bëjë shkelje të procesit dhe procedurave dhe kjo do ta dëmtonte përfaqësimin e Republikës së Kosovës. Sa për mua le ta publikojnë edhe draft-statutin, e kësisoj të hapet edhe rruga për të publikuar edhe ne vërejtjet e kritikat tona”, deklaronte Kurti më 24 nëntor 2023. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/kurti-i-takon-be-se-ta-publikoje-draft-statutin-e-asociacionit-pastaj-hapet-rruga-per-ti-bere-publike-verejtjet-dhe-kritikat-e-mia/

https://demokracia.com/dita-42-vazhdon-terri-informativ-per-statutin-e-zajednices-albin-kurti-e-con-bislimin-ne-bruksel-per-negociata-ne-te-zezen/

Të ngjashme